Pesë shqiptar afër “Rusia 2018”

Derisa Shqipëria dhe Kosova nuk kanë arritur të kualifikohen në Kampionatin Botëror të futbollit, në “Rusia 2018” megjithatë pritet të ketë futbollistë shqiptarë.

Fjala është për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin, Blerim Xhemailin, Valon Behramin e Admir Mehmedin, të cilët e kanë fituar ndeshjen e parë të “Play-Off-it” si mysafirë të Irlandës së Veriut me rezultat minimal, 0:1. Dhe, kjo fitore e së enjtes i ka dhënë shpresa të mëdha Zvicrës së tyre për të shkuar në Botëror, pasi ndeshjen e dytë do ta zhvillojnë para tifozëve të vet.

Edhe njëherë futbollistët shqiptarë i ndihmuan shumë ekipit helvetik drejt një fitoreje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Derisa Behrami nuk luajti shkaku i lëndimit, Mehmedi ka luajtur në tre minutat e fundit. Mirëpo, Xhaka, Shaqiri dhe Xhemaili ishin titullarë dhe kanë dhënë kontribut të çmueshëm.

Të tre ata janë vlerësuar me notën 4 për ndeshjen me Irlandën e Veriut, që nënkupton se kontributi i tyre në fitore ishte i mjaftueshëm. 

Mirëpo, kishin mundur të bënin më shumë pasi nuk kanë arritur të marrin nota maksimale kësaj here.