Canës i thanë që nuk do luajë pas kualifikimit në Europian

Largimi i Lorik Canës nga pozicioni i kapitenit në kombëtaren shqiptare nuk u prit mirë

Në një moment kur Shqipëria kishte luajtur në Europian dhe po punonte për t’u kualifikuar në Botëror, Cana u largua edhe pse bashkë me futbollistët e tjerë të kombëtares mund të bënin gjëra të mëdha.

Por në një intervistë për “Exclusive”, Loriku tregoi për herë të parë dhe me detaje arsyen pse vendosi të largohet. Dhe nuk ishte në dorën e tij.

“Kisha disa vite që kisha çrregullime të ritmit të zemrës, aritmia. Bëra teste më të thella dhe më thanë se gjendja është më serioze nga sa ka qenë. Për mua ishte si një rrufe, pasi e mora lajmin ditën që morëm vendimin e KAS-it për ngjarjet e Beogradit. Mora një lajm të gëzueshëm për kualifikimin, dhe në anën tjetër mora lajmin se nuk mund të luaja më. Takova specialistë të ndryshëm, të cilët më thanë se ishin të gjithë dakord që ta mbyllja me futbollin.”

Asokohe dhe bashkëshortja e Lorikut ishte shtatzënë, një arsye më shumë që Cana të mos rrezikonte më gjatë. Mjekët i dhanë edhe një vit kohë për të luajtur, që të luante edhe në Europian. Megjithatë Loriku thekson se nuk bëhet fjalë për diçka serioze. Kjo i ka ndodhur gjatë një ftohjeje dhe tani e mban nën kontroll duke pirë një ilaç të vogël çdo mbrëmje.

“Nuk jam nga ata që e dija që kur e mbylla karrierën së luajturi se do të bëhem trajner. Kam në plan që në sezonin e ardhshëm të angazhohem si drejtues në ndonjë klub të huaj. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk do të vazhdoj të kontribuoj në vendin tim”,-tregon ai për të ardhmen në futboll.