Rezoni shtetëror dhe dialogu me Serbinë

E kishim rezonin shtetëror në Rambouillet dhe në Vjenë, kur nuk ishim fare shtet. Tash nuk e kemi, edhe pse jemi mbi 10 vjet shtet i pavarur.

Politika kosovare tash e sa vjet shquhet me paradokse dhe çorodi të të gjitha llojeve, të cilat objektivisht, bëhen bashkë në aftësinë e jashtëzakonshme të shumicës së politikanëve shqiptarë për të mos vepruar si duhet, apo, duke mos i respektuar interesat shtetërore të Kosovës. Ndodhë madje, siç po e shohim kohëve të fundit, në trajtimin e temës së kapitullit final të dialogut të Kosovës me Serbinë, që do të duhej të fillonte për pak javë, që edhe kur ka dakordim parimor për një çështje, të mos ketë pastaj, në vijim të këtij dakordimi, marrëveshje për mënyrën se si do të përfaqësohet Kosova në përpjekjen konkluduese (siç shpresohet tek ne dhe në Perëndim), për ta bërë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu pra, teksa nuk ka politikan shqiptarë që kundërshton arritjen e një konsensusi politik para se të nisë faza e re (finale), e bisedimeve me përfaqësuesit e Serbisë, gati secili prej tyre ka një interpretim të vetin personal, dhe afinetetet personale, se si do të duhej të dukej ky konsensus.

Në realitet, duket, si edhe në shumë raste të tjera, në shumë nocione të tjera, edhe kur ne flasim dhe diskutojmë për konsensusin, ne përmes keqkuptimit të tij, pamundësojmë që ta bëjmë atë realitet. Domethënia themelore dhe kryesore e konsensusit ka të bëjë me një marrëveshje apo dakordim të përgjithshëm për një dukuri, për një proces, në mes të palëve të përfshira në te. Kjo assesi nuk do të thotë që secili individ a palë që është hisenik në këtë zhvillim, ka të drejtë të imponimit tek tjetri të mendimit a vlerësimit të vet, dhe edhe më pak, që ka në duartë e veta një drejtë të veto-s, me të cilën mund të bllokojë tash apo edhe më vonë vendimmarrjen për një çështje. Pikërisht kjo ‘marrëveshje e përgjithshme’  (apo domethënia themelore e konceptit të konsensusit), i duhet aktualisht politikës shqiptare në Kosovë, kur bëhet fjalë për përgatitjet kosovare për dialogun me Serbinë. Dhe ky ‘dakordim i përgjithshëm’, si i tillë, nuk njeh pushtet dhe opozitë në relacionet kundërshtuese, nuk llogaritë në përfitimet personale apo partiake, apo, ai korespondon, në mënyrën më të mirë të mundshme me rezonin shtetëror të Kosovës. Subordinimi ndaj këtij rezoni dhe përqafimi i domethënies së mirëfilltë të nocionit të konsensusit, do ta lehtësonte në masë të madhe përafrimin e qëndrimeve politike në mes të gjithë faktorëve relevantë në Kosovë, dhe do ta mundësonte bërjen e një Delegacioni unifikues të vendit i cili do ta kishte përgjegjësinë për këtë dialog. E kishim këtë rezon shtetëror në Rambouillet dhe në Vjenë, kur nuk ishim fare shtet. Tash nuk e kemi, edhe pse jemi mbi 10 vjet shtet i pavarur. Ndërsa nuk kemi tjetër variant, pos që ta përfillim në plotëni atë. Nëse njëmend e duam këtë shtet dhe këtë vend.

Një keqkuptim i ngjashëm, sa i përket nocioneve themelore politike (dhe jetësore, në fakt), është hetuar sërish kur është trajtuar koncepti i kompromisit, i cili rëndom, kur bëhet fjalë për bisedime apo negociata të këtij lloji, i paraprinë atyre, dhe është një synim që duhet t’i bashkojë palët që ulen rreth një tavoline.

Komporomise ka pasë, këtë e dimë të gjithë ne, edhe në Rambouillet, edhe në Vjenë, edhe në Bruksel, sepse ndryshe nuk bën. E gjithë logjika politike e tyre, siç është dëshmuar fare mirë në rastin e Kosovës, është që kompromiset të mos e devijojnë atë rrugën kryesore të një ndërmarrje të madhe historike të gjithë një populli, siç ka qenë rasti me shqiptarët e Kosovës. Në Rambouillet, me rëndësi ka qenë që lufta të ndalet, që paqja të garantohet nga Pakti NATO dhe që instalimi i demokracisë në Kosovë të ndërlidhet me të drejtën e kosovarëve për të vendosur për fatin e tyre final. Kjo është arritë.

Në procesin e Vjenës, me synimi themelor ka qenë bërja e shtetit të Kosovës, duke e ruajtur funksionalitetin e pushtetit në vend, dhe duke mbështetur edhe praninë e Bashkësisë Ndërkombëtare në vitet e para të pavarësisë. Edhe kjo është arritë.

Tani, qëllimi kryesor i autoriteteve të Kosovës do të duhej të ishte që Serbia përfundimisht të largohet nga vendi, që pushteti vendor të funksionojë në gjithë territorin, dhe që Kosova të bëhet shtet anëtar i OKB-së. Ky qëllim duhet të bëhet realitet.