Si mund të jesh për mëmëdhe e Shqipëri, kur përkrah “Rilindjen” e Piktorit?!

Si mund të jesh për mëmëdhe e Shqipëri, kur përkrah “Rilindjen” e Piktorit?!

Mbase është ndjenjë e përkohshme dhe gënjeshtare, por ka filluar të më duket se më është zbehur gëzimi dhe padurimi i dikurshëm për të shkuar sa më shpesh në Tiranë, edhe pse njësoj si përherë, përmallem për t’i takuar miqtë e atjeshëm, të cilëve gjithmonë ua kam pasur zili pse, për dallim nga Prishtina e Shkupi, kryeqendrës së shqiptarisë i vjen ‘era’ e qytetit dhe se atje, gjithmonë gjen bashkëbisedues që ia vlen t’i dëgjosh dhe ndjehesh mirë kur ata ndajnë kohë të të dëgjojnë.

Ku ta dish, ndoshta kjo më ndodh pse Tirana e sotme ka filluar të ma rikujtojë Jugosllavinë socialiste, e cila neve shqiptarëve nga kjo anë e kufirit na ‘diferenconte’ në ‘irredentistë’ e ‘shqiptarë të ndershëm’, ashtu siç i përçanë sot Piktori i dështuar shqiptarët e mëmëdheut, në ‘rilindës’ e ‘kadrinjë’. Pra ndoshta ky gëzim më tretet pse Tirana më bënë të dyshoj se ndoshta kur nuk ka kush të na ‘diferencojë’, ne shqiptarët e ‘diferencojmë’ vetveten, dhe kur nuk kemi armik të ‘natyrshëm’, e shpikim armikun brenda vetvetes.

Apo, them shpesh në vetvete, ndoshta dëshira e dikurshëm që sa më shpesh të shkoj në Tiranë më zbehet pse është shtuar numri i dashamirëve që ma rikujtojnë se jam shkrimtar, se duhet të kujdesem për rehatin time, se s’kam pse ndërhyj në betejat ndërpartiake, se s’kam pse armiqësohem me pushtetarët që ta bëjnë hallin nëse ua refuzon ‘tepsinë’, thuajse unë nuk e di se je më i mbrojtur, më i sigurt, më i pëlqyer e më i pasur, kur mbanë anën e të pushtetshmin, pra thuajse unë nuk e di se miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit vetjak, është pasqyrë ku shihet shëmtia e individit.

Po pra, me kalimin e viteve, thuajse ka filluar të më zbehet gëzimi i dikurshëm që më shoqëronte rrugës për në Tiranë. Dhe ndoshta kjo ndodhë pse e sotmja e atjeshme me shumëçka ma rikujton të djeshmen që e jetuam në ish Jugosllavisë socialiste, kur ne shqiptarët e këtushëm duhej të mbanim llogari me kënd shoqëroheshim, në cilën kafene uleshim si dhe, me cilët gazetarë kontaktonim dhe cilave media u jepnim intervista.

Ku ta dish, mbase mosha është ajo që e tretë entuziazmin e dikurshëm të udhëtimeve, apo ndoshta edhe pse Shqipëria është gjithnjë e më pakë ajo që e ëndërronim dhe kriminalizohet e kalbet më keq se Maqedonia ku jetoj, e ku partia ‘ime’ shqiptare në pushtet, BDI-ja sa nuk të thotë hapur atë që e bënë ‘Rilindja’ në mëmëdhe, pra sa s’të thotë se nëse je me ne, vrit e ther, se ligji nuk të zë dhe synetimin e nipave mund ta bësh në llogari të shtetit, por nëse na kritikon, ki kujdes kur e kalon rrugën, sepse mund të përfundosh nën rrotat e maunës, të cilës rastësisht i janë prishur frenat.

Kohëve të fundit, jo se nuk më vihet në Tiranë, por disi më është zhdukur vrulli i dikurshëm, për të arritur një orë e më parë atje, mbase pse gjithnjë e më shpesh më thonë se nuk i njoh sa duhet as opozitarët, të cilëve ua mbaj anën, thuajse nuk e di se edhe mes tyre ka nga ata që më parë u bënë hajdut, e pastaj burrështetas, që katër vite e plaçkitnin popullin, që të kishin pastaj me çka t’ia blinin votën, njësoj siç e di se Piktori i rritur te Blloku i Xhaxhit Enver, nuk u pasurua duke shitur piktura, se ai e mori vesh ku ndodhet Kosova, si dhe se në Maqedoni ka shqiptarë, pasi i treguan se ‘Kurbanin’ mund ta promovonte e ta shiste edhe në Shkup e Prishtinë. Pra njësoj siç e di se Piktori do mbetej edhe pa brekë, po të varej nga shitja e pikurave dhe se, e morri vesh që ka shqiptarë edhe jashtë Shqipërisë, pasi u bë Kryeministër, kur i treguan se për të shkuar te miqtë e tij në Beograd, duhet të kalojë apo fluturojë mbi tokat shqiptare në Kosovë e Maqedoni.

Më ndodh shpesh të them se gëzimin e ardhjeve në Tiranë ndoshta ma morën ata që ma rikujtojnë se edhe në radhët e ‘Rilindjes’ ka ‘çuna’ të mirë, thuajse kam dyshuar ndonjëherë në diçka të tillë. Njësoj siç nuk kam dyshuar kurrë se ‘Rilindjen’ e kanë në duar ‘nxënësit’ e ‘sektorit civil’, ata që janë mësuar të mos paguhen aq sa kushton ‘projekti’, por sa fatura të rrejshme kanë siguruar, ata që qeverinë e trajtojnë si OJQ, me Shqipërinë si projekt të përkohshëm të saj dhe Bashkinë e Tiranës si shkollë trajnuese, që ta mëson mjeshtërinë si të mos vlerësohesh nëpërmjet asaj sa ke punuar, por aq sa publikisht ke mashtruar.

Po pra, kohëve të fundit është duke mu mbushur mendja se gëzimin e ardhjeve në Tiranë ma grabitën qëllimmirët që më thonë se as që e kuptojë se çka është duke ndodhur ne Shqipëri, se ‘Vejtingu’ do e pastrojë plehun e nëntokës politike që e ka mbuluar vendin. Dhe gjithnjë e më shumë më mbushet mendja se kanë të drejtë ata që më akuzojnë se nuk e zbërthej drejtë atë që është duke ndodhur në shtetin amë, ngaqë ka kohë që nuk e kuptoj si mund të jesh për mëmëdhe e Shqipëri, kur e përkrahë “Rilindjen” e Piktorit?!/ Marrë nga faqja e Facebook e Kim Mehmeti.