• E mërkurë / Jul-17 18:41
  • Kontakt

Testi i Brukselit

Testi i Brukselit

Të thuash nuk ka ngjarje të rëndësishme në Evropë, e cila nuk arrinë që të kontekstualizohet në relacionet e përkeqësuara dhe të rënduara tej mase në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nuk ka mjet dhe nuk ka ngjarje që nuk pëdoret nga pala serbe, në këtë aspekt.

Kështu u bë edhe me këtë kryelajmin e kësaj jave, që u shpërnda në të katër anët e Botës nga Parisi, u të hënën në mbrëmje u dëmtua rëndë, në një zjarr, katedrala e Notre-Damit.

Duke marrë si pretekst faktin që brenda këtij tempulli të shenjtë fetar, vitin e kaluar, në përvjetorin e njëqind të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nikoqirët, apo shteti i Francës, pati vendosur edhe flamurin e Republikës së Kosovës, në mediat serbe pati komente  (madje edhe nga ish-sportistë shumë të njohur serbë), të cilat flakën në këtë katedralë e lidhnin me ‘ndëshkimin e Zotit’ ndaj kësaj ‘blasfemie’ të para gjashtë muajsh në Paris.

Ishte kjo një fyerje dhe përbuzje e shumëfishtë që iu bëhej francezëve dhe shqiptarëve, e cila nuk kishte si të mos inicojë edhe reagimin e Ambasadorit të Francës në Beograd.

Fryma e këtyre komenteve të mbrapshta në mediat serbe, nuk është fare e huaj me atmosferën që është krijuar në politikën, shoqërinë dhe mediat në Serbi, në javët e fundit kur po shënohen njëzet vjet nga fushata e Aleancës Veri-Atlantike për ndaljen e luftës në Kosovë.

Diskursi mbizotërues politik në Serbi, është pothuaj identik me atë të para njëzet viteve. Natyrisht, nuk ka më forca serbe në Kosovë, nuk mund të bëhen më krime këndejpari, gjërat kanë ndryshuar me themel në raportet Kosovë – Serbi, Kosova është bërë shtet i pavarur, dhe proceset e mëdha historike, janë të pakthyeshme.

Kjo është e ditur jo vetëm te ne, por edhe në gjithë rajonin, edhe në Serbi.

Por ky dimension racional po mohohet, me mish e me shpirt e me politikë/ propagandë, në Beograd, në qarqet më relevante politike të Serbisë, gjë që u shpreh edhe këto ditë kur Evropa u trondit me ngjarjen e Notre-Damit.

Në këtë atmosferën mbizotëruese në Serbi, e cila është gjithsesi refleksion edhe i një devalvimi real të fuqisë politike të Bashkimit Evropian dhe i ndikimit në rritje e sipër të faktorit rus në Serbi dhe në këto anë të Evropës, është joreale të pritet që do të ketë një kthesë të vërejtshme në relacionet e përkeqësuara të Kosovës dhe Serbisë, në Mbledhjen e Berlinit të caktuar për 29 prill.

Ditëve të fundit kanë marr hov spekulimet e shumta se çka do të mund të sjell ky Takim, gjithsesi i veçantë në Berlin, i organizuar nga dy shtetet më të fuqishme të Evropës  (Gjermanisë dhe Francës).

Kështu, u përmend edhe mundësia që në Berlin të trajtohet ideja e ofrimit të një modeli të ‘sovranitetit të dyfishtë’ në Veri të Kosovës, si një themel për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

‘Sovraniteti i dyfishtë’ në Veriun e Kosovës është realitet që nga dita e parë e ekzistimit të shtetit të Kosovës. Ai ka nënkuptuar një ‘bashkëjetesë’ të çuditshme, vazhdueshme të tensionuar dhe kohë pas kohe, edhe të rrezikshme, në mes të shtetit të Kosovës dhe strukturave paralele të shtetit të Serbisë.

Ky model nuk ofron kurfarë zgjidhje për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, ai, si në variantin e sotëm, ashtu edhe në secilin variant tjetër të mundshëm, është reçetë për konflikte të rënda në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, për këdoqoftë që përcjell zhvillimet në këtë fushëbetejën e dialogut, edhe para se të ndodhë Mbledhja e Berlinit, është e qartë që ky Takim, mund të ofrojë një mbështetje të re për mëkëmbjen e dialogut në Bruksel, por realisht, nuk mund të krijojë një proces të ri i cili do të mund të konkludohej me një Marrëveshje të mirëfilltë për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu i Brukselit është realisht i pazëvëndësueshëm. Ai mund të pasurohet me faktorë të tjerë ndërkombëtarë, por ai nuk mund të menjanohet dhe as të magjinalizohet.

Në anën tjetër, nuk ka, për ne si Kosovë, mënyrë më të mirë për ta sipërfaqësuar pozicionin e njëmendtë të Serbisë karshi nesh dhe këtij procesi madhor, sesa dialogu në Bruksel.

Aty do të shihet ku jemi në të vërtetë.