Thaçi: FSK-ja është shëmbëlltyrë e shtetit tonë.

Me rastin e "Ditës së Forcës"

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar pjesëtarët e FSK në Ditën e Forcës. 

Thaçi thotë se secili qytetar sot mburret me të arriturat e FSK-së të cilat sipas tij janë dëshmuar me të rriturat në akademitë më të mira ushtarake në botë. 

Presidenti thekson se FSK është e hapur për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe u shërben të gjithë qytetarëve pa dallim. “Në Ditën e Forcës, 27 Nëntor, i urojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për punën e tyre, për profesionalizmin dhe përkushtimin e dëshmuar për të dhënë më të mirën, duke u shërbyer qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie apo rajoni”, tha Thaçi përmes një postimi në “Facebook”.

 Presidenti i vendit tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në një forcë të standardeve të NATO-s, me pjesëtarë që shkollohen e trajnohen dhe korrin suksese në akademitë më të mira ushtarake të botës dhe që i shërbejnë Kosovës në çdo kohë e çdo vend. “Forca e Sigurisë së Kosovës është shëmbëlltyrë e shtetit tonë, duke qenë e hapur për të gjitha komunitetet dhe duke punuar për përfaqësim sa më të mirë gjinor.

Secili qytetar i Kosovës sot mburret me të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ai. Forca e Sigurisë së Kosovës sot duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 13:00 organizoi “Ditën e Hapur” për nder të “Ditës së Forcës”.