Hoti për reciprocitetin: Nuk ka pasur koordinim të duhur me ndërkombëtarët

Hoti për reciprocitetin: Nuk ka pasur koordinim të duhur me ndërkombëtarët

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria nuk është koordinuar siç duhet me partnerët ndërkombëtarë për veprimet e fundit që lidhen me veriun e vendit, për targat dhe letërnjoftimet.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë qeveria nuk është konsultuar as me opozitën, për çka sipas tij, ka munguar një koordinim i brendshëm.

“Me gjithë respektin për kryetarët e gupeve por edhe deklarimin që e kemi dëgjuar më herët edhe të institucioneve edhe politike, po mendoj që nuk kemi nevojë të bëjmë garë kush po shprehet më ashpër e në mënyrë kategorike për këtë çështje. Është fakt që koordinim të brendshëm nuk ka pasur konsultime të vazhdueshme me opozitën për këto tema, dhe duket nga informata që kemi parë koordinim të duhur ndoshta me partnerët tanë ndërkombëtar nuk ka pasur. Mbështetjen tonë e keni pasur, e keni edhe tash, e dini qëndrimin e partisë sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Hoti.