Edi Rama, 6 muajt e parë të mandatit të dytë

Vera e re në fuçinë e vjetër...

Vera e re në fuçinë e vjetër

Më 9 mars, mbushen 6 muaj nga marrja zyrtare e mandatit të dytë qeverisës, të Edi Ramës. Kryeministri i 33-të në historinë e shtetit shqiptar, ishte më shumë se entuziast në 22 gusht të vitit të kaluar, teksa shpallte emrat e kabinetit të ri, por edhe platformën e qeverisjes. Me 74 mandate në Parlament, kundrejt 41 mandateve të PD-së, 18 të LSI-së, 2 të PDIU-së dhe 1 të PSD-së, ky mandat është më i forti që një forcë politike ka marrë për të qeverisur, përjashto fitoren e PD-së më 22 mars 1992. Në një kabinet me 13 ministra, 6 më pak se kabineti i mandatit të parë; me dy ministra shteti, me 7 ministra burra dhe 7 ministra gra dhe, për më tepër, zëvendëskryeministrja po grua, Edi Rama proklamoi rrugën në të cilën do ecte mandati i dytë, duke vënë synime të qarta ku më kryesori ishte se, duke punuar fort mandatin e dytë, do arrijmë të sigurojmë fitoren për një mandat të tretë.

Ja çfarë tha Edi Rama, më 22 gusht 2017:

“Ky proces është baras me krijimin e një force të re politike. Urgjenca e ndryshimit është tamam ajo që u mishërua si një motivim popullor, për të na i larguar nga prehri aleatët me një dorë në timon dhe një dorë në tepsi. Ne do ta ndajmë pushtetin me njerëzit e zakonshëm. Ky pushtet na është dhënë si shpatë kundër prapambetjes dhe padrejtësisë. Kërkuam një mandat kuq e zi dhe morëm një mandat kuq e zi, pra një mandat për Shqipërinë europiane”.

Po çfarë ka ndodhur 6 muajt e parë të këtij mandati? A po shndërrohet ai në një mandat i punëve të kryera pa LSI-në nëpër këmbë dhe me të vetmet duar në të vetmin timon? A është shndërruar ai në një mandat i aleancës me qytetarin dhe njerëzit e zakonshëm dhe a ka rënë shpata ndaj prapambetjes dhe padrejtësive? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, nisin nga një konkluzion: Ky është mandati që PS-ja, kryeministri dhe ministrat e tij, nuk kanë më alibi. Nëse kanë sukses dhe faj, ato kanë vetëm një autor: Partinë Socialiste, kryetarin dhe kryeministrin Edi Rama.

LUFTA NDAJ KORRUPSIONIT

PS-ja mund të vazhdojë gjatë të thotë se, po bën reformën në drejtësi. Por fakti është se si në mandatin e parë 4-vjeçar, por edhe në 6 muajt e parë të mandatit të dytë, nuk ka qoftë një zyrtar të lartë deri ministër, që kjo shumicë ta ketë çuar në qeli si të korruptuar. Ata që janë arrestuar deri më sot, ndonëse jo peshq të mëdhenj, janë vetëm drejtorë dhe kryebashkiakë që nuk i përkasin Partisë Socialiste, por kryesisht LSI-së dhe PDIU-së. Por, a mund të quhet se, një forcë politike qeverisëse lufton korrupsionin, kur atë nuk e lufton ndër të vetët? Kjo shumicë nuk e ka bërë, as kur ishte në aleancë me PS-në, as tani që timonin e ka vetëm. E pra, vazhdimi i alibisë se fajin e ka qeverisja e Berishës dhe ministrat e LSI-së, është justifikimi i një beteje të humbur në këto 6 muaj.

A SOLLËN 3 RISITË ATË QË SYNUAN?

Ministria për Sipërmarrjen, ministria për Diasporën dhe ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ishin tre risitë e Edi Ramës për mandatin e dytë. Kryeministri deklaroi se synonte që, në këtë mandat, raportet e tij me sipërmarrjen do të ishin të tilla që do sillnin rritje ekonomike dhe mirëqenie. Në fakt, kemi një rritje mbi 3 për qind, por nuk kemi ndonjë hop të rritjes ekonomike.

Kemi ministrinë e Diasporës me ministër Pandeli Majkon, por përveçse shikojmë një ministër shëtitës dhe të parin kryeministër që merr post pa portofol, nuk kemi parë asnjë të huaj me origjinë shqiptare, të investojë në Shqipëri, jo më arritje të tjera.

Kemi ministrinë për Europën, bashkuar me atë të Jashtme, por hapja e negociatave po shkon në ato kalenda, që Ramës i duhet ta krahasojë veten po me qeverinë e Berishës.

TIPARET E MANDATIT TË DYTË

Edi Rama, më 22 gusht 2017 kur prezantoi qeverinë e re, deklaroi: “Tipari themelor i këtij mandati, do të jetë, gjallë a vdekur kur i thonë, besnikëria ndaj interesave të vendit! Nëse do të rendisja 10 tipare kryesore në këtë mandat të ri, e para dhe kryesorja, do ishte besnikëria ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të zakonshëm. Së dyti, vullneti për të bërë reformat”.

Pas gjashtë muaj, zor se mund të thuash se, ky megapremtim është plotësuar. Janë 5 raporte ndërkombëtare, që nuk inkurajojnë të thuash se qeveria ka bërë punë pozitive për Shqipërinë. Këto raporte, jo vetëm e cilësojnë premtim bosh atë të proklamuar më 22 gusht 2017 nga Edi Rama, por shifrat janë të denja për të thënë se, kemi të bëjmë me një qeveri të dështuar.

RAPORTI 1: Gusht 2017, Basel AML. Shqipëria është ndër 15 vendet me rrezik të lartë të pastrimit të parave.

RAPORTI 2. Tetor 2017, Banka Botërore: Shqipëria humb 7 vende në raportin e Doing Bussines.

RAPORTI 3. Nëntor 2017, OKB: Shqipëria, e para në botë për përdorimin e kokainës.

RAPORTI 4. Shkurt 2018, Amnesty International: Shqipëria, ndër vendet më të korruptuara në Europë, bie me 8 vende.

RAPORTI 5. Shkurt 2018. Amnesty International: Rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE, është vështirësuar nga progresi i ngadaltë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

RRITJE EKONOMIKE, POR JO NJË HOV

E vërtetë është se, ekonomia shqiptare ka rritje në më shumë se 3 për qind, por kjo nuk është asgjë përballë asaj që u synua dhe premtua. Në fushatë dhe jo vetëm, kryeministri Rama deklaroi se, Shqipëria priste të kishte një hop të madh ekonomik. Por kjo nuk ka ndodhur. Justifikimi i kryeministrit Rama, sërish lidhet me qeverisjen e Sali Berishës.

Edi Rama më 1 mars 2018”: “Sot ekonomia shqiptare rritet me katërfishin e rritjes së 4 viteve më parë. Mos harroni që, e filluam me një 0, diçka dhe sot jemi në rreth 4 për qind rritje ekonomike; një rritje që do të vazhdojë dhe synimi ynë është të kapërcejë pesën, që është ambicie realisht e fortë”.

Përfundimi i projektit dhe largimi i TAP-it, pritet të sjellë një boshllëk të madh, që rrezikon dhe premtimin e rritjes ekonomike 4 dhe 5 për qind. Ndonëse Kryeministri dha lajmin se, shumë shpejt do të vijë një investitor i huaj shumë i rëndësishëm, ikja e Sheraton-it është nga lajmet më të këqija, jo vetëm të kësaj qeverisjeje, por të 28 viteve që nga rrëzimi i sistemit komunist. Dhe ironia vjen në fund, por jo për nga rëndësia e shifrave. Sipas INSTAT, në vitin 2017, rritja më e madhe ishte importi i rrobave të përdorura me 11 për qind. Kjo do të thotë se, duhet të bërtasim: Të rrojë “Gabi”!

PUNËSIMI

Plot 220 mijë vende pune, premtoi Rama duke e ulur me 80 mijë atë që premtoi mandatin e parë. Por vendi, gjithnjë e më shumë, po braktiset. Madje, braktisja aktuale është më e rëndë, sepse nëse më parë iknin vërtetë punëtorë krahu, por ata ishin të pakualifikuar. Ndërsa tani, në ushtrinë e të larguarve ka mjekë, infermierë, inxhinierë dhe punëtorë të kualifikuar.

BRAKTISJA E VENDIT

Rama më 1 mars 2018 te “Debati në Channel One”, foli me shifra”: “Në vitin 2011, janë larguar nga Shqipëria 55 mijë e 162 njerëz. Më 2012, janë larguar 52 mijë e 307. Më 2013, 49 mijë e 425. Në vitin 2014, 46 mijë e 525; më 2015, 41 mijë e 443; më vitin 2016, 32 mijë e 532; në vitin 2017, 39 mijë e 905.

Ndërkohë që ka patur edhe ardhje. Më 2011, 36 mijë e 397; më 2012, 32 mijë e 534; 28 mijë e 624 më 2013; 24 mijë e 740 më 2014; 20 mijë e 843 më 2015; 23 mijë e 60 më 2016 dhe 25 mijë e 300 më 2017”.

A janë këto shifra inkurajuese të një qeverisje të mirë? A janë këto shifra që tregojnë se, shqiptarët duan ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre, sepse ajo është e mirë? Natyrisht që jo. Edhe në qershor të vitit 1924, erdhën 6 mijë shqiptarë nga SHBA-ja me besimin se, Shqipëria do bëhej, por ajo rezultoi se ishte qeveria më e dobët në histori dhe zhgënjimi që pësuan ata që erdhën, ishte shumë i madh. Janë edhe dy shifra edhe më alarmante se këto: E para, në vitin 2017, 200 mijë shqiptarë aplikuan për lotarinë amerikane dhe e dyta, Shqipëria zë vendin e dytë në botë pas Sierra Leones për emigracionin. A ka justifikim braktisja e vendit?

Rama më 1 mars 2018”: “Sa i takon braktisjes së vendit, sigurisht që ka një dukuri që nuk është vetëm shqiptare, i largimeve drejt qendrave më tërheqëse nga pasuria e tyre. Në radhë të parë, unë nuk do flisja për braktisje të vendit. Flitet me hamendje, flitet me një gjuhë që vjen nga dëshira e disave, që kjo të jetë e vërtetë dhe nga rënia viktimë e të tjerëve, që kjo është e vërtetë, sepse nëse shikoni shifrat reale të largimeve dhe të rikthimeve në Shqipëri, nuk kemi absolutisht asnjë lloj dukurie të re. Është një dukuri e kahershme, madje nëse do të bënim disa krahasime të shifrave, të përpunuara në bazë të metodologjisë së EUROSTAT-it, do të shikoni që kemi të bëjmë më një situatë ku nuk mund të fitet absolutisht për shuarje të Shqipërisë, për zbrazje të Shqipërisë dhe për përralla të tjera si këto. Natyrisht që njerëzit ikin, kanë ikur dhe do vazhdojnë të ikin dhe kthehen. Janë kthyer dhe vazhdojnë të kthehen. Për një periudhë historike të caktuar, kjo do të jetë më shumë në favor të emigracionit, sesa të migracionit, por është një periudhë historike që e kalojnë të gjitha venet Po të shikoni shifrat e vendeve që janë sot anëtare të reja të BE-së, madje dhe shifrat në zona të caktuara të vendeve që janë anëtare të vjetra të BE-së, p.sh., Italia – ku ata që largohen nga jugu drejt Veriut apo nga Italia drejt Gjermanisë – janë shifra vërtet mbresëlënëse. Kjo është një fazë historike, që unë nuk mendoj se është një tragjedi e panjohur dhe madje nuk e konsideroj aspak tragjedi, sepse besoj se, të gjitha vendet që sot janë në pararojë të zhvillimeve botërore, në një periudhë të caktuar të historisë së tyre, kanë patur pikërisht këtë fazë. Çdo vend në zhvillim apo i zhvilluar, kalon nga kjo fazë, që sjell shumë të mira për vendin në periudhë afatgjatë, me disa probleme jo të vogla në periudhë afatshkurtër, që kanë të bëjnë me kapacitetet dhe burimet njerëzore, që kanë të bëjnë me kapacitetet për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshme. Por ky është një fakt historik dhe ne nuk mund ta frenojmë ose ta ndryshojmë këtë rrjedhë të caktuar në histori”.

GUNGA E KANABISIT

Nëse ka një fakt që qeveria Rama duhet të turpërohet, është historia e rëndë e kanabisit!

Rama më 1 mars 2018”: “Në 4 vitet e qeverisë sonë, për herë të parë, u luftua kanabisi, sepse këtu kemi jetuar dhe e mbajmë mend mirë se çfarë ndodhte. E mban mend mirë edhe Lazaratin. Nuk jam këtu për të bërë asnjë lloj ndarjeje të skenës politike. Jam këtu për të bërë një ndarje të qartë të fushës së luftës kundër kanabisit. Kanabisi nuk është luftuar në Shqipëri, asnjëherë! Kanabisi është pickuar ndonjëherë tek-tuk, por nuk është luftuar kurrë. Dhe ajo që di me shifra, është që vetëm nga Lazarati trafikoheshin 900 tonë. Por e dini ju që, 900-tonëshi nuk është arritur akoma si nivel? Tonët e dikurshme dhe të sotme janë njëlloj, se toni si njësi nuk ka ndryshuar, kilogrami nuk ka ndryshuar, është po ai. Ndërkohë, çka ne kemi parë qartësisht dhe e kemi bërë publike, është se në Shqipëri është mbjellë kanabis kudo”.

Por kundër kryeministrit janë dy fakte kokëfortë. E para lidhet me faktin se, në vitin 2016, SHISH-i ka raportuar se, në Shqipëri ishin futur 21 tonë farë kanabisi dhe nuk pati asnjë reagim. E dyta, kryeministri nuk ka përmbushur detyrimin kushtetues që të raportojë në Kuvend, për situatën për drogën. Atëherë, si e ka luftuar qeveria kanabisin? Duke e lejuar dhe, më pas, duke u mburrur se po korr plantacione?

SIGURIA KOMBËTARE

Ka një shifër rekord, qeveria për vitin 2017. Në të gjithë vitin janë shënuar 52 vrasje, shifra më e ulët që ka ndodhur ndonjëherë në një vit në Shqipërinë postkomuniste dhe kjo është për t’u përshëndetur. Por brenda kësaj shifre të ulët, ka një shifër tepër të lartë. Janë 12 vrasje mafioze për trafikun e drogës, gjë shumë e frikshme kjo. Ndërkohë, është ulur numri i aksidenteve . Në fakt, ulje i thënçin, kur në një vit vdesin në rrugë 22 persona, ndërkohë që më 2016 ishin 269 dhe më 2009, 378. A duhet të gëzohemi që kemi ulje të të vdekurve, kur shifra skandaloze është se numri i aksidenteve është rritur? Nëse në vitin 2009, kishin ndodhur 1465 aksidente, në vitin 2017, kanë ndodhur 1978 aksidente. Kjo është shifër alarmuese dhe jo thjesht një statistikë!

KONFLIKTI POLITIK

Marrëveshja e 18 qershorit të vitit të kaluar, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, u duk sikur ishte epilogu i një konflikti. Harruam, për pak kohë, tensionimin e situatës dhe befas erdhi dashuria mes dy liderëve të rinj, që zëvendësuan Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Por nuk ishte e thënë. Tradita e vjetër u kthye sërish. Tashmë, mes Ramës dhe Bashës e midis PS-së dhe PD-së, ka shumë tension. Aq tension, sa na duket sikur Shqipëria është kthyer sërish në vitin 2000, kur shumica e shqiptarëve mendonin se, e keqja e madhe e këtij vendi, ishin Fatos Nano dhe Sali Berisha!

Rama më 1 mars 2018”: “Unë s’jam armik i asnjë shqiptari dhe s’kam armiqësi me askënd. Armiqësia është fjalë shumë e madhe. Unë kam patur dhe kam kundërshtarë, por jo armiq. Armiqësinë e kam parë të më shfaqet përballë, por asnjëherë nuk kam qenë i gatshëm të investohem në armiqësi . Dhe mbase, kam besuar fort me të drejtë, gjithmonë tek një shprehje që ma thoshte gjyshja ime e mrekullueshme, kur isha i vogël: Inati është e zeza e atij që e ka! Armiqësia është forma më ekstreme e inatit”.

SINDROMI I MANDATIT TË DYTË

A është ky, mandati i dytë dhe i fundit i Edi Ramës dhe qeverisë së tij? A do kalojë në opozitë Partia Socialiste dhe do ndiqet rregulli? Në një farë mënyre, vetë Rama e kishte paralajmëruar se si do ishte ky mandat.

Rama më 22 gusht 2017: “Ky do të jetë mandati më i vështirë, që kur unë marr një detyrë. Ky është mandati ynë më i vështirë që kur unë jam në këtë detyrë. Kjo qeverisje mund të jetë e para, për një epokë të re të qeverisjes së Shqipërisë ose e fundit, për një kohë të gjatë”.

***

Gjashtë muajt e parë nuk janë entuziastë për qeverisjen e Ramës. Natyrisht, duhet të kalojë një kohë më e gjatë që të bëhet një analizë e plotë e qeverisjes. Por, duke ditur rregullin e artë se dielli duket që në mëngjes, 6 muajt e parë të mandatit të dytë të Edi Ramës, tregojnë jo pak. Zemra na e do që Shqipëria të qeveriset më mirë, por gjasat janë që kjo të mos ndodhë. Nuk po e ndihmon PS-në, as fakti që timonin e ka vetëm. E jo më të arrijë të qeverisë në një mandat të tretë!