Laporta: Jam i sigurt se Koeman mund të bëjë më të mirën për të ndryshuar situatën

Laporta: Jam i sigurt se Koeman mund të bëjë më të mirën për të ndryshuar situatën

Presidenti i Barcelonës, Juan Laporta ka konfirmuar gjatë ditës së sotme se trajneri Ronald Koeman do të vazhdojë të mbetet trajner i ‘blaugranasve’, pavarësisht rezultatit që do të jetë mes Atletikos dhe Barcelonës.

Pas humbjes turpëruese nga Benfica 3-0 në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve, pritej shkarkimi i trajnerit holandez, Ronald Koeman, pasi klubi spanjoll tani është në krizë të madhe dhe rrezikon seriozisht kalimin e grupeve në Ligën e Kampionëve, pas dy disfatave radhazi, me po të njëjtin rezultat.

Sidoqoftë, presidenti Laporta duket se do të vazhdojë ti besoj holandezit, pasi ka konfirmuar se ai nuk do të shkarkohet.

“Kam folur drejtpërdrejt me Koeman në orët e fundit dhe vendosa që ai të qëndrojë.Ronald e do Barcelonën, ai i beson këtij ekipi – jam i sigurt se ai mund të bëjë më të mirën për të ndryshuar situatën”, është shprehur Laporta.

Marrëdhënia është e mirë dhe kërkoj nga fansat që ta mbështesin atë”, ka theksuar presidenti i Blaugranasve. 

Barcelona do të zhvilloj sonte ndeshjen ndaj Atletico Madrid, e vlefshme për xhiron e tetë.

‘Blaugranasit’ gjenden në pozitën e tetë momentalisht me 12 pikë të mbledhura, me tri barazime e tri fitore në gjashtë paraqitje, gjersa Atletico Madrid ka 14 pikë pas shtatë ndeshjeve, duke regjistruar katër fitore, dy barazime dhe një humbje.