Kryeministri në morsën e klientelës

Nuk besojmë se do të zgjidhnim sot një kryeministër të tillë si Edi Rama...

Nga Reldar Dedaj

Nuk besojmë se do të zgjidhnim sot një kryeministër të tillë si Edi Rama, nëse, gjatë këtyre viteve nuk do të ishim të mërzitur. Po zgjedhjes tonë i mungon durimi. Është mërzitja nga gjërat e përsëritura; e njëjta gjë, e njëjta filozofi, e njëjta sjellje, të njëjtat fjalë. Është nga lodhja me të, nga boshësia e të kuptuarit, nga gjithçka që përfaqëson.
Askush nuk ka ndër mend t’i besojë një kryeministri të tillë, i cili, ta zëmë, pa asnjë “preambulë” sociale, amniston pikërisht ata që kanë abuzuar me shtetin: borxhlinjtë e mëdhenj të tatimeve dhe doganave, firmat, ku pushtetarët janë ose bashkëpronarë, ose financojnë fushatat dhe mirëqenien e tyre.
Madje, disa nga këto veprime mund ta bëjnë situatën edhe më keq. Kjo ndodh për shkak se faktorët që e kanë nxitur një gjëndje të tillë janë akumuluar për gjatë këtyre viteve dhe nuk zhbëhen me asnjë magji: keqqeverisja, rrënimi ekonomik, papunësia, kapja dhe përdorimi i shtetit, demokracia e manipuluar, institucionet jofunksionale, shëndetësia e rrënuar, arsimi i shthurur. Të gjitha janë këtu. Asgjë nuk ka lëvizur.
Përveç një gjëje: Edi Rama i ka kapur të gjitha. Ka qeverinë, partinë, drejtësinë, ekonominë, prokurorinë dhe lavdinë. Por ka dhe një rekord tjetër, nëpër institucione vërshoi një material rural, me këmbët me bajga, që deri para pak kohësh e bënin nevojën pas gardhit. Të gjitha i ka aty. Askush nuk ka ikur.
Kryeministri, pra, është zënë si në morsë mes klientelës dhe popullit që po e braktis. Ngado që të shkosh në Shqipëri do vësh re, se do ndihesh i shtypur nga mungesa e plotë e jetës, ritmit, fëmijëve, të ardhmes. Shqipëria as nuk ëndërron më. Edhe ëndrrën e ka vdekur, hapësirën e vetme të lirisë.
Ndërsa banaliteti i tij ftillohet çdo herë e më tepër, shqiptarët rrinë e dëgjojnë, shohin entuziasmin e rremë të fytyrës që dëshiron të përçojë, ndjejnë mbi mish nguljen e thonjëve të hipokrizisë së tij, por gjithsesi, populli ka mbërritur, shumë shpejt dhe shumë befasisht të shohë se çfarë e ardhme është fshehur pas.
Një vend me ndërgjegje nuk mbytet aksidentalisht, veçse atëherë kur i heqin shtyllen kurrizore, e lënë në errësirë, si një anije që është shmangur tashmë nga drejtimi, është pa kapiten, pa pikësynim, pa pamje të qartë, pa busull, në një det me dallgë, dhe ku pritet nga çasti në çast mbytja e saj.
E kuptojmë mjaft mirë shqiptarin në çdo gjë që kemi të kalbur brenda vetes. Poshtë nacionalizmit fals, shterpë dhe folklorik, dergjet kufoma e shqiptarit. Ky është i gjithë boshllëku i sotëm. Dhe kjo “i gjithë” është shumë.
Kryeministri nuk e di, nuk e ka dëgjuar, por pak javë më parë, ministri shqiptar i Diasporës, deklaroi se nuk hiqet dogana shqiptaro-shqiptare, sepse nuk e lënë interesat e tregtarëve. Cilët tregtarë? Siç duket, në kohën kur Edi Rama u bë pushtetarë, pushteti u shndërrua në hedonizëm dhe përfitim. Vetë ai, me sjelljën e tij arriviste, krijoi modelin më të shëmtuar të liderit. Rruga e një drejtuesi tek banditi në Shqipëri u bë tepër e shkurtër.
Shqiptarin nuk e do askush më, të gjithë i janë vërsulur mbi të, si ai zogu-përbindësh, që ia hante shpretkën Prometheut të lidhur. Andaj, në vendin tonë është krijuar një përshtypje të realizojmë me patjetër përngjitjen me ata që na sundojnë, me ata që jo pak herë prekin edhe interesat tona, që grabisin një pjesë të madhe të të gjithë pasurisë. Madje forma të tilla të menduari kanë pushtuar mendjet njerëzore, i kanë stërvitur gjatë, i kanë mbajtur të robëruara deri aty sa kanë arritur të formojnë një lloj admirimi për ata persona që zotërojnë mjetet për të grabitur popullin.
Sot, ndoshta, Shqipëria mund të jetë e gatshme të bëjë përsëri një zgjedhje tjetër. Por pa madhështi, pa forcë dhe pa jehonë, ajo është shterrur nga fuqitë e saj, besimi është rravguar, e ardhmja i duket akoma edhe më e zbehtë se më parë.