Grenell në Beograd: Fushata për tërheqjen e njohjeve të ndalet, taksa duhet të hiqet

Grenell në Beograd: Fushata për tërheqjen e njohjeve të ndalet, taksa duhet të hiqet

“Fushata për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës duhet të ndalet – taksa duhet të hiqet”.

Ky ka qenë mesazhi kryesor që ka dhënë i Dërguari Special i  presidentit të SHBA-së për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas  takimit të tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, gjatë një konference të  përbashkët me presidentin serb, Grenell ka thënë se të njëjtin mesazh e  ka përcjellë edhe në takimet që ka pasur me të gjithë liderët dhe  komunitetin e biznesit në Prishtinë.

Ai gjithashtu theksoi se gjithçka që dëshironte ishte që t’i afronte  të dy palët dhe të përqendrohej në të ardhmen, ekonominë, si dhe  tejkalimin e konflikteve.

Ndërsa duke folur për afatet e mundshme të arritjes së një  marrëveshje, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë: “Kam pasur  kancer, nuk e di se çfarë do të ndodhë javën ose muajin tjetër…”, tha  Grenell.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia ka pësuar  humbje prej 435 milionë eurosh gjatë një viti për shkak të taksës së  vendosur nga autoritetet e Kosovës. 

Vuçiq tha në konferencën për shtyp se i është “shumë mirënjohës  Grenellit për kuptimin e nevojave të Serbisë dhe qytetarëve të saj”.