Njeriu i Trumpit edhe pas takimit me LDK-në thotë se nuk përzihet në formimin e qeverisë

Njeriu i Trumpit edhe pas takimit me LDK-në thotë se nuk përzihet në formimin e qeverisë

I  dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori  Richard Grenell pas takimit që ka pasur me kryetarin e LDK-së, Isa  Mustafa deklaroi edhe një herë se ata nuk janë të interesuar të  ndërhyjnë në formimin e qeverisë, por në zhvillimin ekonomik.

                                                                                                                

Grenell edhe nga selia e LDK-së kërkoi  largimin e taksës dhe të ndërpritet fushata e dëmshme e Serbisë karshi  Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Sapo u takova me liderët e LDK-së, dua që të falënderoj z.Mustafën  që na ka pritur, kemi shikuar disa fotografi prej karrierës së tij dhe  ai ka shumë eksperiencë. E ndava mesazhin e njëjtë që është se ne në  Amerikë nuk jemi të interesuar që të përfshihemi ose se si do të  formohet qeveria, ne jemi të interesuar në zhvillim ekonomik, dhe e  ndava vizionin tim për të arritur aty shumë shpejtë duke hequr tarifën,  ndërsa serbët që të ndalin kampanjën për tërheqje të njohjeve.

Diplomati amerikan më herët gjatë ditës takoi edhe mandatarin për  kryeministër Albin Kurti, kurse mbrëmë është takuar me presidentin,  Hashim Thaçi.

Kujtojmë, se pas takimit me Kurtin, Grenell ka thënë nuk është i  interesuar të ndërhyjë në çështje të brendshme sa i përket presionit për  formimin e qeverisë duke deklaruar se edhe shtetet tjera kanë pasur  probleme sa i përket koalicioneve.

“I thash Kurtit se vende si Britania e Madhe, Gjermania e disa tjera  kanë pasur mosmarrëveshje derisa e kanë formuar qeverinë, ne po shikojmë  se çfarë do ndodhë ditët në vijim”, ka deklaruar Grenell, raporton  lajmi.net.

Ai shtoi se po takohet me Kurtin dhe Mustafën vetëm për t’i inkurajuar që të krijojnë qeverinë e re.

Tutje, ai ka theksuar se SHBA-të janë të interesuara të investojnë në Kosovë, të krijojnë vende pune dhe bizneset të rriten.

“Po shikojë t’i ndihmojë njerëzit dhe ekonominë që rritet, ky ishte mesazhi ime këtu dhe të njëjtin do e jap edhe në Serbi”.

Ai ritheksoi faktin se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake  duhet të hiqet, ndërsa Serbia nga ana e saj duhet të ndalojë fushatën  kundër Kosovës.