Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar LDK-në, që të ulen dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët për të arritur marrëveshje.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi, ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje, shkruan lajmi.net.
Në këtë video të publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ia ka bërë të qartë LDK-së, se Glauk Konjufca është kryeparlamentar dhe se qytetarët kanë nevojë që të kenë një qeveri të re ashtu siç e kanë dëshiruar.
Ai po ashtu theksuar se, propozimin e tij për mandatar për kryeministër ia ka dorëzuar presidentit Hashim Thaçi, pa ndonjë marrëveshje me LDK-në.
Por, po ashtu Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar ofertën e fundit të LDK-së për bashkëqeverisje, por i ka bërë thirrje që të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje, raporton lajmi.net.
“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, si subjekt fitues nga zgjedhjet e 6 tetorit, kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshjeje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive të Kuvendit, më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake, dhe tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re. Të dashur qytetarë, ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te presidenti. Sekretaja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, do ta bëjë këtë. Në nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do të ishin të pranueshme për të dyja palët. E theksojë përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave”, ka thënë Kurti.
Më poshtë ju sjellim video-mesazhin e plotë të Kurtit.