“Betohem për gocën. Shko mere dhe mamin e shko voto”, zbardhet përgjimi me “Zogun”. Moderatorja: Biseda është bërë live

Zbardhja e përgjimeve në dosjen e Hermes Nikajt, i njohur ndryshe si “Zogu” i Tiranës, ka zbuluar edhe një aferë për shitblerje votash.

Lidhur me këtë zbulim, kanë reaguar disa nga përfaqësuesit më të lartë të opozitës. Numrat dy të PDsë dhe LSI-së, Gazment Bardhi me Petrit Vasili, e kanë dënuar ashpër këtë sjellje, duke theksuar se në çdo përgjim që bën Prokuroria, dalin prova për vjedhjen e votave.

Për Bardhin, kjo dosje për blerjen e votave në Tiranë është një test për SPAK-un, që do duhet të çojë para drejtësisë autorët e krimit.

“Në çdo përgjim të ligjshëm të Prokurorisë, kur heton krimin e organizuar apo kur heton një rrjet prostitucioni, blerja e votës nga Edi Rama dhe Erion Veliaj është e kudogjendur. Edhe kur vetëkandidon, vetëvoton, vetënumëron. Përgjimi i një grupi të akuzuar për rrjet prostitucioni në Tiranë zbulon se për të nxitur qytetarët të votojnë, veçanërisht në Tiranë, janë paguar 20 mijë lekë. Është akoma më e dënueshme, kur në këtë pazar kriminal, përfshihet një prezantuese televizive. Sa kohë Edi Rama të jetë në krye të qeverisë, blerja e votave do vazhdojë. Ai ka bllokuar nëpërmjet Prokurorisë së kontrolluar prej tij, hetimin dhe ndëshkimin për dosjet 339 dhe 184, pikërisht si garanci se askush që blen e vjedh vota nuk do të ndëshkohet. Për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), dosja e re për blerjen e votës në Tiranë në votimet moniste të 30 qershorit, është një test për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit elektoral! Dosje si kjo e Tiranës apo famëkeqet 339 dhe 184, janë prova të pakundërshtueshme se largimi i blerësit dhe dhunuesit të votës së lirë, Edi Rama, si dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, është nevojë urgjente për Shqipërinë”, shkruan Bardhi.

Ndërsa Petrit Vasili shprehet me tone edhe më të ashpra. Nënkryetari i LSI-së e cilëson një turp të radhës të qeverisë dhe se blerja e votës është hallka kryesore në shkatërrimin e shtetit të së drejtës. Edhe Vasili kërkon veprimin e strukturës së posaçme Antikorrupsion, që ta marrë sa më shpejt në dorëzim këtë dosje.

“Krimi zgjedhor, pas dosjeve 184 dhe 339, tani edhe Zogu e Dajana, ç’pret SPAK-u?! Blerja e votave është themeli i shkatërrimit dhe kapjes së shtetit ligjor. Blerja e votave është mburoja politike e korrupsionit pa fre. Blerja e votave blen drejtësinë dhe mbron kriminelët me pushtet. Në përgjimet e fundit del qartë se si 30 qershori ishte një këllirë politike dhe përgjimet e të famshmit “Zogu” i Tiranës dhe Dajanës vërtetojnë sheshit blerjen e neveritshme të votës për të legjitimuar votimet moniste të Edi Ramës. Të vërtetat janë sheshit, janë publike, po bubulojnë dhe njëherazi me to dita-ditës po shpërbehet e po shkretohet Shqipëria, sepse qeverisin hajdutët e kriminelët e votave në pushtet deri në krye të qeverisë e të Parlamentit. Që nga Kryeministri e deri te ministrat, deputetë, drejtorë, shefa policie etj., janë provuar nga përgjimet e dosjes 184 dhe 339 si autorë të tij, duhet të hetohen nga SPAK-u, sepse është objekt i SPAK-ut, ndryshe çdo fjalë është demagogji boshe. Nëse SPAK-u i bën bisht hetimit të krimit elektoral qeveritar, ashtu siç bëri Prokuroria e Arta Markut, që i çoi dosjet në Dibër, kujt i duhet më ky SPAK?”, shkruan Vasili.

Përgjimi me “Zogun”, moderatorja: Biseda është bërë live

Moderatorja Dajana Shabani ka reaguar me anë të një postimi në “Instagram” për përgjimin e publikuar mes saj dhe Hermes Nikajt, ose siç njihet me emrin “Zogu i Tiranës”. Shabani e konsideron bisedën e publikuar si një batutë të bërë në emision dhe është miqësore.

Më tej, në reagimin e saj, ajo i konsideron dashakeqe lajmet në portale dhe paralajmëron se me publikimin e mesazheve, që e konsideron thyerje të privatësisë, do të merret në rrugë ligjore.

“Me shkeljen e privatësisë dhe nxjerrjen e bisedave private dhe konfidenciale do merret avokati im”, shkruan Dajana Shabani në “Instagram”.

PËRGJIMI

Dajana: Zogu, votove ti motra?

Zogu: Jo, akoma.

Dajana: Shko të lutem se më duhet shenja jote, ta çoj me foto, të ka motra zemër.

Zogu: Po mi.

Dajana: Se është orari që e fiks hajt, të japi motra njëzet mijë lekësh, shko.

Zogu: O sa mirë, kur tani ja për gjysmë ore.

Dajana: Ik motra se në orën shtatë mbyllen qendrat e votimit.

Zogu: Bëje gati njëzet mijë lekshin.

Dajana: Ta bën motra, ta bën motra, por merr edhe ndonjë këto grupin e gatshëm, votojnë këto?

Zogu: Ku di unë, ç’i du këto po votoj për vete, ta çoj me aplikacion po hec..

Dajana: Mirë. Po mere merre i çik motra një shoqe. Thuaji, merr dikë mamin vetë i dytë.

Zogu: Po po, bëje gati njëzetëshen.

Dajana: Mirë ta bën motra, ma ço me ashtu, mos rrej Zogu, se del aty për atë Allah.

Zogu: Për çfarë?

Dajana: Del kur nuk e ke votu.

Zogu: Qyqja, unë thashë ta çoj me kështu gishtin moj…

Dajana: Shko, shko se e bën dhe me stilolaps, por halli është ta bësh tamam. Për zotin të del emri që nuk ke votuar. Për zotin betohem për gocën. Shko mere dhe mamin e shko voto se afër e keni. Te kush shkollë e ke ti, tek “Qemal Stafa”?

Zogu: Dy hapa e kemi..

Dajana: E mirë hik.