Irani i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pasojat pasi forcat amerikane kryen sulme ajrore kundër grupeve të përkrahura nga Irani në Irak dhe Siri.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Iran, Abbas Mosavi, tha se Shtetet e Bashkuara me këto sulme e kanë shfaqur haptazi përkrahjen e tyre për terrorizmin dhe neglizhencën ndaj pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar të Irakut dhe Sirisë.
“Ky shtet duhet ta pranojë përgjegjësinë e pasojave të këtyre sulmeve ilegale”, shtoi Mosavi.
Së paku 25 persona u vranë dhe 51 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore amerikane, të cilat i kishin cak zonat e kontrolluara nga grupi “Kataib Hezbollah” në Irak dhe Siri.
Ky grup është pjesë e Forcave Popullore Shiite të Mobilizimit, të cilat përkrahen nga Irani.
Në anën tjetër, zyrtarët amerikanë thanë se këto sulme janë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të këtij grupi kundër personelit ushtarak të Shteteve të Bashkuara, nga të cilat kanë mbetur të lënduar disa ushtarë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman, i cilësoi këto masa si sulme mbrojtëse që do ta dobësojnë aftësinë e grupit militant për të kryer sulme të tjera kundër forcave të koalicionit në të ardhmen, shkruan “CNN”.