Grenell në Beograd: Serbia dhe Kosova do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt

Grenell në Beograd: Serbia dhe Kosova do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me të dërguarin special të Amerikës për Dialog, Richard Grenell tha se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi për interesin e stabilitetit dhe të ardhmes së të gjithë rajonit mund të arrihet duke respektuar interesat legjitime të Serbisë.

“Vuçiq informoi të dërguarin presidencial të SHBA-ve për qëndrimin e Serbisë në lidhje me dialogun dhe pozicionin e serbëve në Kosovë”, tha presidenca.

Vuçiq theksoi përkushtimin e Serbisë për zgjidhjen e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë përmes dialogut.

“Një zgjidhje kompromisi në interes të stabilitetit dhe të ardhmes së të gjithë rajonit mund të arrihet duke respektuar interesat legjitime të Serbisë”.

Grenell tha se angazhimi i fortë i administratës së Donald Trump është që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe rritja e mundësive të tregtisë janë një pjesë kryesore për të siguruar paqen e qëndrueshme.

“Qëllimi është t’i sjellim partnerët tanë në Serbi dhe Kosovës një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të zgjidhur pikat e konfliktit në rajon. Të dy palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt duke parë drejt së ardhmes”, tha Grenell.

Gjatë qëndrimit në Beograd ai u takua gjithashtu me kryeministrin e Republikës së Serbisë Ana Bërnabiq.