Vendeve në botë u kërkohet të investojnë në përshtatje ndaj klimës

Vendeve në botë u kërkohet të investojnë në përshtatje ndaj klimës

Vendet duhet të zbatojnë më shumë sisteme përshtatjeje për t’u mbrojtur kundër efekteve negative të ndryshimit të klimës, tha një grup i 34 udhëheqësve në politikë, biznes dhe shkencë.

Në raportin e lëshuar të martën, Komisioni Global për Përshtatjen tha se investimi i 1.8 trilion dollarëve në pesë fusha kryesore gjatë dekadës së ardhshme, mund të sjellë 7.1 trilionë dollarë përfitime ekonomike.

Komisioni, i udhëhequr nga ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, dhe shefja ekzekutive e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva, ka si qëllim ngritjen e përshtatjeve klimatike në agjendën globale, përpara një samiti të OKB-së për klimën, që do të zhvillohet në Nju Jork, më 23 shtator.

Raporti u bën thirrje vendeve që të investojnë në sistemet e paralajmërmit të hershëm të stuhive, baticave të larta dhe motit tjetër ekstrem.

Raporti identifikon edhe katër fusha të tjera ku duhen investime: infrastruktura rezistente ndaj klimës, siç janë rrugët, ndërtesat dhe urat; përmirësimi i bujqësisë në tokat e thata; mbrojtja e pyjeve dhe mbrojtja e furnizimit me ujë.

Pa veprime të menjëhershme, Ban tha se “ndryshimi i klimës mund të çojë më shumë se 100 milionë njerëz në vendet në zhvillim nën kufirin e varfërisë”.

“Ndryshimi i klimës nuk i respekton kufijtë”, tha ai.

Raporti thekson se përshtatja ndaj klimës mund të ndihmojë në shmangien e humbjeve në të ardhmen, të nxisë inovacionin dhe të sjellë përfitime sociale dhe mjedisore.