Zaev fton në takim liderësh Mickoskin, Ahmetin dhe Selën: Do të diskutojmë për tema të rëndësishme

Zaev fton në takim liderësh Mickoskin, Ahmetin dhe Selën: Do të diskutojmë për tema të rëndësishme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, sot në konferencë për shtyp njoftoi se të premten planifikon të organizojë takim liderësh, në të cilin siç tha, do të diskutohet për tema të rëndësishme në vend.

Zaev në takim i ftoi kryetarin e OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoskin, atë të BDI-së Ali Ahmeti dhe të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Ai shtoi se udhëheqin bisedime edhe me partitë më të vogla parlamentare, njofton Telegrafi Maqedoni.

Zaev tha se në takimin e liderëve do të bisedohet për Kodin Zgjedhor, Prokurorinë Speciale, regjistrimin e popullsisë, si dhe reformat në drejtësi.

“Propozoj të mbahet takim liderësh, të premten. Kemi pak kohë deri në tetor, kur presim të marrim datë për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Edhe pse raporti i Komisionit Evropian është i shkëlqyeshëm, nuk duhet të ndalemi së punuari. Si çdo herë kur ftoj të merren vendime të mëdha, edhe këtë herë ftoj që këtë hap ta marrim së bashku”

“Pres të fokusohemi për hapat e mëtejshëm për nisjen e negociatave me BE-në. Kemi negociata edhe me partitë tjera parlamentar më të vogla. Do të flasim për Kodin Zgjedhor dhe model të ri zgjedhor, gjithashtu edhe për Prokurorinë Speciale Publike, si dhe avancimin e shtetit të së drejtës dhe drejtësinë. Do të bisedojmë për të zbatuar regjistrim të suksesshëm të popullsisë. Mendoj se sinqeriteti në këto tema, do të përcaktojnë orientimin e vendit tonë”, tha Zaev.

I pyetur nga gazetarët se partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, nuk merr pjesë në takim liderësh nëse temë takimi nuk janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Zaev tha se temat kryesore i cakton ai, por nuk përjashtoi se në takim mund të diskutohet edhe për zgjedhjet e ardhshme.