Nisin kërkime të reja me robot për Florijana Ismailin në liqenin 100 metra të thellë

Nisin kërkime të reja me robot për Florijana Ismailin në liqenin 100 metra të thellë

Kërkimet për gjetjen e futbollistes shqiptare të Zvicrës, Florijana Ismailin, janë duke vazhduar edhe ditën e hënën, por tani me ndihmën e edhe një roboti në liqenin italian, Como, ku ajo u raportua e zhdukur të shtunën pasdite.

Futbollistja me origjinë shqiptare e Kombëtares së Zvicrës dhe Young Boys, Ismaili ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite dhe që prej atëherë figuron e zhdukur. Brigada të zjarrfikësve dhe zhytës bënë përpjekje për gjetjen e saj gjatë gjithë ditës së diele, por pa rezultat.

24-vjeçarja kishte kërcyer në ujë nga një anije që e kishte marrë me qira bashkë me një mike të veten dhe prej atëherë nuk është shfaqur më. Mikja e saj kishte kërkuar ndihmë menjëherë dhe një ekip i shpëtimit kishte arritur në vendin e ngjarjes.

Operacioni për shpëtimin e saj po vazhdon, tani me ndihmën e një roboti, sipas mediave zvicerane.

Shpresat që ajo të gjendet e gjallë pas pak shumë orësh janë të vogla. Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kërkimet edhe sot në liqenin që thuhet se është 100 metra i thellë.

Roboti, i cili do të përdoret në kërkime, do t’i kryejë ato në fund të liqenit, aty ku zhytësit e kanë të vështirë të arrijnë.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.