Arrestohet avokati që sinjalizoi abuzimin e së miturës nga Drenasi

Arrestohet avokati që sinjalizoi abuzimin e së miturës nga Drenasi

Prokuroria sapo ka arrestuar avokatin Gazmend Halilaj, i cili rreth dy javë më parë kishte sinjalizuar abuzimin seksual të nxënëses nga Drenasi.

Halilaj po pretendon se është arrestuar për shkak të zbulimit të rastit, ndërkohë prokuroria e as Inspektorati Policor ende nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Siç raportoi Insajderi para rreth dy javësh, 16-vjeçarja nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo kishte gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar.

Përveç dhunës së ushtruar mbi të. V. V., e ka detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim. Aborti i paligjshëm është kryer më 15 janar të këtij viti në ordinancën e gjinekologut Fehmi Ahmeti, në Prishtinë.

Insajderi, ka hulumtuar disa javë këtë rast në të cilin është implikuar Prokuroria e Shtetit. Pas informimit nga Insajderi, Prokuroria kishte vepruar të martën e 5 shkurtit duke bastisur dhe duke e arrestuar hetuesin policor.