Veseli, Haradinaj dhe Jasharaj në një konferencë për media konfirmojnë marrëveshjen për nisjen e mësimit

Veseli, Haradinaj dhe Jasharaj në një konferencë për media konfirmojnë marrëveshjen për nisjen e mësimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur një konferencë për media së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn. Në këtë konferencë u konfirmua se është arritur marrëveshje që mësimi të nisë të hënën, por nuk kanë dhënë detaje se cila është ajo marrëveshje

Konferenca e tyre erdhi pas arritjes së marrëveshjes me SBASHK-un për fillimin e mësimit të hënën.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria që ai udhëheq nuk i ka keqkuptuar asnjëherë kërkesat e të gjithëve në lidhje me Ligjin për Pagat.

Ai tutje tha se marrëveshja me SBASHK-un do të ishte e pamundur pa kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

“Ne asnjëherë s’i kemi keqkuptuar shqetësimet e tyre, ne gjithherë i kemi mirëkuptuar. Nuk ka qenë e mundur të bëhet marrëveshja me SBASHK-un as pa ndihmën e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.

“Është e ditur që Qeveria është e interesuar t’i japë përgjigje të gjitha kategorive. Ne jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë. Mendoj që jemi gati për nesër, falënderoj sindikatën dhe urime”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se me Projektligjin e ri do të rriten pagat për 70 mijë të punësuar.

E kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, shkurtimisht ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor, teksa ka thënë se është arritur një marrëveshje, mirëpo pa dhënë detaje se cila është ajo.