Janjiq: Marrëveshja Kosovë-Serbi, më 2020

Janjiq: Marrëveshja Kosovë-Serbi, më 2020

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha se marrëveshja historike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të arrihet më 2020, kjo pasi Serbia nuk është e përgatitur, nuk ka platformë dhe as ekip negociator.

Duke folur për letrën e presidentit Trump, Janjiq tha se, ai dëshiron ta përshpejtojë dhe që të përfundojë ky proces pa fjalë të mëdha. Trump, thjesht me anë të kësaj letre ka konfirmuar fillimin e fundit të procesit lidhur me arritjen e marrëveshjes historike Kosovë – Serbi

Zoti Janjiq, për këtë vit është paralajmëruar arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ju a jeni optimist?

Dushan Janjiq: Edhe në vitin 2018, kur Hashim Thaçi dhe Blerim Shala kishin paralajmëruar arritjen e marrëveshjes historike, unë kam qenë pesimist. Vërtet, unë kisha dashur që kjo të arrihet këtë vit, mirëpo duke njohur rrethanat e brendshme në Serbi dhe në Bashkimin Evropian, atëherë, vërtet jam i rezervuar nëse kjo do të përfundojë brenda këtij viti. Fillimi i procesit nënkupton që të dyja palët të jenë të përgatitura. Për sa i përket Kosovës, ajo ka miratuar platformën politike dhe ka arritur pajtueshmërinë brenda shumicës së spektrit politik, ndërsa ka themeluar edhe ekipin e unitetit. Ka pajtueshmëri që presidenti t’i udhëheqë bisedimet dhe qeveria t’i përgatisë dhe zbatojë marrëveshjet e arritura. Pra, janë kryer të gjitha punët për formatin e ri, për të cilin është folur qysh në vitin 2016. Në anën tjetër, Komisioni Evropian mbetet ndërmjetësuesi kryesor bashkë me SHBA-në dhe Gjermaninë. Serbia ndërkaq, nuk ka kryer punën e saj. Nuk ka platformë për marrëveshjen përfundimtare përkundër faktit që Vuçiq tash e dy vite e ka paralajmëruar një platformë të tillë, e cila nuk është askund. Serbia aktualisht nuk ka ekip negociator as miratimin nga parlamenti. Megjithatë, kjo mund të bëhet dhe do të bëhet pas zgjedhjeve, që do të mbahen në Serbi. Më 8 janar, ekipi negociator i Kosovës do të jetë në Bruksel për të prezantuar platformën e vet para ndërmjetësuesit të dialogut, Komisionit Evropian. Beogradi, ndërkaq, këtë nuk mund ta bëjë më 9 janar. Nëse shkon Vuçiqi dhe Gjuriqi, ata nuk e kanë ende mandatin e Parlamentit të Serbisë, ashtu siç e ka ekipi i Prishtinës. Në anën tjetër, është e vërtetë se Komisioni Evropian  e ka mandatin e tij deri më 1 janar të vitit 2020 dhe duke u nisur nga ky fakt, Komisioni Evropian  mund të ndërmjetësojë bisedimet, por nuk mund të arrijë pajtueshmërinë me të gjitha vendet anëtare të BE-së pa u krijuar përbërja e re, e cila duhet të dalë nga zgjedhjet e BE-së në muajin maj. Nga kjo mund të thuhet se as Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm për përfundimin e procesit. Shkurt, unë do të doja që Serbia të ishte gati dhe ndoshta do të jetë gati pas zgjedhjeve, dhe në maj të kyçet me platformën e vet në dialog. Ajo që unë pres është se do të ketë intensitet të bisedimeve, mirëpo marrëveshja pres të arrihet në vitin 2020 kur kryesimin e Bashkimit Evropian do ta ketë Kroacia.

Si e shihni ju rolin e SHBA-së në dialog dhe si e komentoni letrën e presidenti Donald Trump dërguar presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.

Dushan Janjiq:  SHBA-ja gjithmonë ka qenë e pranishme dhe e informuar vazhdimisht për rrjedhën e dialogut. Tani ata janë më të angazhuar dhe supozoj se përfaqësimi i tyre do të bëhet nga Ues Miçell dhe Methju Palmer. Edhe Gjermania besoj do të ketë përfaqësuesin e vet. Për sa i përket letrës së presidentit Trump, ajo do të thosha se ka dy anë:  Njëra anë thotë se SHBA-ja dëshiron ta përshpejtojë dhe që të përfundojë ky proces dhe këtë e thotë pa fjalë të mëdha presidenti Donald Trump.  Ai thjesht me anë të kësaj letre ka konfirmuar fillimin e fundit të procesit lidhur me arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi ashtu siç e kanë bërë ata me njohjen e Kosovës dhe me synimin për anëtarësimin e saj në të gjitha institucionet ndërkombëtare. E dini, kur një superfuqi botërore, respektivisht kur presidenti i saj nënshkruan një letër të tillë, atëherë ajo palë që nuk shkon për të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington, ashtu siç i ka ftuar ai, duhet të mendohet mirë, sepse dihet se çfarë pasojash do të ketë. Pra, do të korrë reagime shumë negative nga SHBA-ja. Pra, kjo është një letër shumë e fuqishme, që obligon palët, përfshirë këtu edhe SHBA-në dhe kjo natyrisht ka edhe aspektin e brendshëm, që Tramp t’ua marrë në dorë atunë e demokratëve dhe të kalojë në përparësi edhe për sa i përket angazhimit të tij në Ballkan. Ai këtë do ta përdorë si sukses në zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç bëri administrata e presidentit Klinton në zgjedhjet e dyta të tij për president.

Kosova ka vendosur taksën 100 për qind për mallrat serbe. A do të jetë kjo pengesë për arritjen e marrëveshjes?

Dushan Janjiq:  Natyrisht, është një pengesë. Sado që është një masë politike, ajo ka pasoja edhe në fushën e biznesit, sepse pa bashkëpunim ekonomik nuk mund të ketë normalizim të  marrëdhënieve politike. Kjo masë ka shtyrë, apo zgjatur, për një kohe të madhe mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, sepse nuk është në frymën e përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore. Por, nëse shikoni zhvillimet politike kohët e fundit, Qeveria e Kosovës me këtë deshi të tregojë se ka kapacitet të vendosë masa reciproke, se edhe ajo mund të përgjigjet me kundërmasa dhe se më nuk dëshiron të tolerojë mos zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë, siç është marrëveshja për tabelat e makinave, apo ajo për njohjen e formularëve të llojllojshëm të kontrollit fitosanitar në kufi. Megjithatë, historia e ka treguar se me luftëra ekonomike, nuk është arritur asnjëherë ndonjë rezultat. Kështu kishte bërë edhe Millosheviqi me mallrat e Sllovenisë. Në anën tjetër, Kosova ka përmbushur në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit dhe të gjitha veprimet që ka ndërmarrë, janë në harmoni me ato marrëveshje. Unë mendoj se Prishtina do ta heqë këtë taksë në bazë të vullnet të mirë, pasi ajo tashmë ka forcuar pak pozicionin e saj negociator, mirëpo kur të hiqet mjegulla në tërësi, do të shihet se kjo ka lënë pasoja për ekonominë e të dyja vendeve. Unë pres që këto masa ekonomike të hiqen diku ka muaji maj, kur edhe pritet të fillojë procesi intensiv negociator. T’i kthehem edhe një herë pyetjes së parë: Të mos mbjellim iluzione si në vitin 2017. Ky format i ri duhet të ketë tre deri në pesë raunde takimesh e negociatash për tema shumë të rëndësishme, dhe natyrisht për këtë kërkohet shumë punë. Edhe vetë procesi kërkon të paktën disa muaj bisedime intensive në nivel të ekipeve politike, përfshi këtu edhe takimet e herë pas hershme të presidentëve si kryenegociatorë të procesit.