Lëvizja Vetëvendosje një konferencë për media kanë thënë se sistemi i arsimit në Kosovë është brenngosës dhe me shumë probleme.
Deputeti i kësaj partie, Ismajl Kurteshi, ka thënë se disa statistika të cilësisë së arsimit në vend janë shqetësuese, ndërsa foli edhe për problemin e fëmijëve që nuk shkojnë në çerdhe dhe në arsimin parafillor.
“Në institucionet tona parashkollore vetëm rreth pesë për qind e fëmijëve tonë shkojnë në çerdhet publike, kurse çka ndodh me çerdhet private, sa fëmijë shkojnë atje, askush nuk ka ndonjë evidencë, prandaj edhe ne s’mund të flasim. Por sa i përket përqindjes në shkollat fillore që edhe janë të obligueshme me ligj në vendin tonë, 95.6 për qind e fëmijëve shkojnë në shkollë, ndërsa për arsimin e mesëm kjo përqindje bie në 84.5 për qind e tyre shkojnë në shkolla, e që nuk është mirë”.
“Prej atyre që shkojnë në shkollat e mesme 21 për qind e tyre shkojnë në gjimnaz ndërsa 40% shkojnë në shkolla profesionale. Kjo nuk ndodh në vendet ku arsimi është i zhvilluar, kemi marrë shembull Finlandën ku 30 për qind e tyre shkojnë në gjimnaze e 70 për qind shkojnë në shkolla profesionale.”
Kurteshi tha se numri i lartë i studentëve dhe i analfabetëve njëkohësisht janë në një nivel shumë të lartë në Kosovë krahasuar me vendet e rajonit.
“Sa i përket studentëve, Kosova është kampion për nga numri i studentëve. Në 100 000 banorë Kosova i ka 6669 studentë, ndërsa në Europë mesatarja është 3987 studentë në 100 000 banorë. Analfabetizimi në Kosovë është i madh. 5.4 për qind e popullatës janë analfabetë që nuk dijnë shkrim dhe lexim ndërsa numri është jashtëzakonisht i lartë i analfabetëve funksionalë”.
Ai tha se tekstet që vazhdojnë të sillen nga Serbia janë problem për shkak të urrejtjes ndëretnike që përmbajnë.
“Tekstet që vijnë nga Serbia janë të dëmshëm pasi shkaktojë gjuhë të urrejtjes, sidomos për qytetarët shqiptarë të këtij vendi”.
Kurteshi tha se personat me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje në institucionet e arsimit si dhe kanë mungesë tekstesh.
“Kemi të dhëna se në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, edhe pse 15 mësimdhënës janë pranuar në mënyrë të rregullt nuk paguhen”, shtoi ai.
Deputeti i VV-së komentoi edhe parregullësitë që i kanë hasur në fakultetet private.
“Programe të palicencuara, studentë të regjistruara jashtë afatit, regjistrime më të mëdha në numër sesa që iu lejohet këtyre institucioneve, nganjëherë edhe ka mungesa të librave e që pastaj nuk mund të furnizohen me diplomat e tyre”.
“Pas rezultateve shokuese të nxënësve tanë në PISA, ne i kemi edhe rezultatet e reja të indeksit të ri të kapitalit Human 201”, të publikuara para dy muajsh nga Banka Botërore. Sipas këtyre rezultateve del që nxënësit e Kosovës që vijojnë shkollën për 13 vite marrin njohuri ekuivalente me vetëm rreth 7 vite shkollim,që domethënë se ata humbin rreth 5 vite shkollim dhe kur të rritet ai do të jetë diku 56 për qind më pak produktiv se ai që ka një shkollim të plotë”.
Nagavci ka thënë se kjo është alarm për të gjithë shoqërinë dhe se nuk po merr vëmendjen e duhur as të Ministrisë së Arsimit e as Qeverisë.
Deputetja e VV-së ka kritikuar edhe mënyrën e inspektimit që po bëhet nga kjo ministri. Ajo përmendi edhe një rast në Gjakovë ku një drejtor i shkollës është emëruar si inspektor.
“Kjo është ligjore dhe kjo pamundëson procesin e inspektimit dhe mbarëvajtjes”, tha ajo.
Investimi i buxhetit të ndarë për arsimin Nagavci tha se në vend që të investohet në ngritjen e cilësisë po bëhet në ndërtimin e objekteve dhe infrastrukturës shkollore.
“Nuk është e qartë se si kjo rritje e buxhetit do të ndikojë në rritjen e cilësisë. Krahasuar me vendet e BE-së , Kosova shpenzon shumë më pak dhe këto shkojnë në infrastrukturën shkollore”.
Ajo përfundoi se kjo gjendje është mjaft shqetësuese.