Individët ''kriminalë'' dhe organizatat e ''pafaj''

Deklaratat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare të pranishëm në Kosovë...

Deklaratat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare të pranishëm në Kosovë, se Gjykata Speciale do t’i gjykojë individët dhe jo Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, paraqesin një paradoks të llojit të vet, që nuk ka si të mos shkaktojnë nevrikosje kur përsëriten si refren sa herë aktualizohet fillimi i punës së dhomave të specializuara.

Çfarë pikënisje, çfarë kriteri, çfarë peshore përdoret për ta dalluar përgjegjësinë individuale të drejtuesve të një organizate politike ushtarake (UÇK) duke i identifikuar si të këqij dhe kriminelë, e nga ana tjetër organizata së cilës i përkisnin të jetë e mirë, jo kriminale, e pastër dhe e pacenuar?

Kush janë në fakt individët që mund të inkriminohen, të akuzohen, të dënohen, të kufizohen në vetveten e tyre dhe të mos inkriminohet, të mos njolloset dhe të mos demonizohet organizata së cilës i përkisnin? Si të ketë “pajtim” midis tezës së parë se drejtuesit janë të këqij, kriminel dhe tezës tjetër se organizata e tyre është e pastër, e pacenuar dhe e palënduar?

Nuk është kurrfarë zbulimi e vërteta se Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si rezultat i shtypjes së pakufishme nga ana e shtetit serb, që përmes ushtrisë dhe policisë, ushtroi dhunë, ndjekje, burgosje, vrasje sistematike, masakra, gjenocid dhe shpërngulje të popullatës së Kosovës për njëqind vjet me radhë, duke kulmuar në vitet 1998/99.

Nuk është zbulim as e vërteta fatbardhë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës krejt veprimtarinë e saj e ushtroi si forcë mbrojtëse, aq sa mundi, aq sa arriti, brenda territorit të Kosovës. Asnjë synim agresiv, asnjë veprim represiv, asnjë akt gjenocidi, asnjë masakrim a veprim tjetër kundërnjerëzor nuk bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në vitin 2004 u shpallën të gjitha aktakuzat nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Dy personalitete të larta nga Kosova, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj u akuzuan për krime lufte dhe po ashtu u liruan si të pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare. Kaluan disa vite në burg për fat të keq, kot.

Nuk ka asnjë javë që u shpall mbyllja zyrtare e Burgut të Hagës, e tek ne gjithnjë e më shumë po pëshpëriten, mjerisht me dashamirësi të tejdukshme nga medie e persona të llojllojshëm emra për arrestime të mundshme të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo dashamirësi do të sqarohet më poshtë, pas shpjegimit se si qëndron realisht relacioni “individi – Gjykata Speciale – Ushtria Çlirimtare.

Është absurde dhe shumë e trashë përpjekja që UÇK-ja të identifikohet me shtresën e fundit ë piramidës dhe jo me majën e saj, kupolën ideore dhe ata që përfaqësojnë vizionin e saj, që bartën peshën e organizimit dhe drejtimit të saj. Në fakt, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është tërësia e drejtuesve të saj, jo e pjesëmarrësve, anëtarëve, ushtarëve të saj.

Pa dyshim unë si qytetar i Kosovës dhe çdo qytetar liridashës i vendit tonë kemi respekt edhe për ushtarin e fundit, edhe për atë që, siç kam parë nga aplikacionet për veteran, kërkon statusin e pjesëtarit të UÇK-së edhe për dy javët e fundit, para se të përfundojë lufta më 10 qershor 1999.

Kam respekt për secilin që u radhit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës anembanë vendit, kudo: një bujk i thjeshtë, një punëtor krahu, një djalë i ri, një vajzë e re, një mjeshtër e zanatli, një oficer, një nxënës, student e kushdo tjetër, të cilit iu dha rasti për të luftuar me armë në dorë për lirinë e Kosovës.

Por, Ushtria Çlirimtare e Kosovës thelbin, identitetin dhe karakterin e saj e shpërfaq përmes kreut të saj, i cili ka një histori për themelimin e saj, rritjen e saj, shtrirjen, organizimin, strukturimin dhe mbi të gjitha orientimin politik dhe operativ.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të reprezentohet përmes pjesëtarit të saj që ka mund të jetë një bujk e bari, po përmes trurit politik dhe ushtarak.

Ta marrim shembull delegacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje të Francës në shkurt 1999 të përbërë nga Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja. Ata për dy javë e sa mbajtën barrën politike të përfaqësimit të UÇK-së në kuadër të delegacionit të Kosovës në një konferencë ndërkombëtare, e para në historinë e Kosovës, ku përfaqësuesit tanë ishin pjesë e barabartë e konferencës.

Në konferencën e Rambujesë dhe atë të Parisit, ku nënshkruhet dokumenti që i hapi udhë intervenimit të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore të Serbisë nuk mund të merrnin pjesë të gjithë ushtarët e UÇK-së, e gjithë organizata. Aty morën pjesë ata që është konsideruar se kanë trashëgimi politike, kontribut dhe zotësi për ta përfaqësuar më së miri.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet, ishte e suksesshme sepse pavarësisht kapaciteteve njerëzore dhe arsenalit të armëve, ishte një organizim mbi baza vullnetare, e formuar nga njerëzit e vendit, personat lokalë, të cilët nuk kishin rrugë tjetër pos kundërvënies së fundit ndaj sulmeve brutale që bënte administrata, ushtria dhe policia serbe.

Të gjithë ushtarët e saj u shquan në vendet ku vepruan, me uniformën dhe emblemën e UÇK-së, duke treguar momentin vendimtar se kundërshtimi i sundimit serb të Kosovës po bëhej me një organizatë të re, autentike, që me emrin “ushtri”, me armë dhe uniformë do të rezistonte, aq sa të kish mundësi.

Por Ushtria Çlirimtare identifikohet me emrat e prijësve dhe komandantëve të paepur si Adem Jashari, Fehmi Ladrovci, Ramush Haradinaj, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Kadri Veseli, Rrustem Mustafa, Xheladin Gashi, Agim Bajrami, Ahmet Isufi, Shukri Buja, Fatmir Limaj, Rrahman Rama, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Jahir Demaku, Rasim Kiçina, Agim Ramadani, Sali Çeku, Rrustem Berisha, Anton Çuni etj.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës identifikohet me pjesën e saj të sakrificës supreme, prej flijimit të komandantit legjendar Adem Jashari e deri tek rënia e dëshmorit të fundit të saj, e mbi dymijë të rënëve, që me nder dhe krenari mbyllën kapitujt e jetës për lirinë që sot e gëzon Kosova.

Sot kur flitet e përflitet me dinakëri dhe dashamirësi të zezë nga qarqe antikombëtare në Kosovë për arrestime të mundshme, në fakt flitet për thelbin, për esencën njerëzore dhe politike të UÇK-së, për softuerin e saj. Nëse emrat e lart përmendur, kuptohet ata që i shpëtuan vdekjes, supozojmë se mund të arrestohen, mund të akuzohen dhe të dënohen nga një Gjykatë Speciale, atëherë çka po mbetet e paprekur nga UÇK-ja.

Teza shpirt shpëtimtare e përfaqësuesve të EULEX –it është ajo se po fajësohen individët, jo UÇK-ja. Kundërshtarët politikë vendorë të të apostrofuarve të mësipërm, të të gjallëve, po ashtu mendojnë dhe thonë se është i mirëseardhur arrestimi i tyre, si mundësi për t’i mënjanuar nga jeta publike dhe institucionale, sepse pa ta u krijohet hapësirë dhe frymëmarrje e lirë.

E në fakt kush janë të dëshirueshëm që të mënjanohen nga skena politike, të lidhen me pranga dhe të hidhen në burg?

Janë fytyra e lirisë së Kosovës, etërit themelues të shtetit të Kosovës, elementi që ka sakrifikuar për Kosovën. Ta arrestosh dhe ta mbash në burg një Sylejman Selim, aq të popullarizuar në mesin e ushtarëve të UÇK-së për një pickim të padëshmuar është fyerje e cila nuk mund të pranohet, pos në një vend ku një organ gjakftohtë policor dhe juridik (EULEX) vetë mat dhe vet pret.

Ta mbash në burg një njeri si Azem Syla për punë pronash, e ndërkaq asnjë provë nuk ekziston se ai bëri diçka me emrin dhe mbiemrin e tij, është mënyra më e sofistikuar për të goditur në njërin nga krerët më të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të njerëzve me trashëgimi të pasur politike në luftë për çlirimin e Kosovës.

Ta besosh storjen dhe narracionin kriminalistik për trafikim organesh të një eurodeputeti si Dick Martti për liderin politik të UÇK-së Hashim Thaçin, dhe mbi bazën e këtij subjekti fantastik dhe imagjinativ, ta kërkosh kokën e presidentit të Kosovës, është pretendimi më paradoksal që e dëshirojnë qarqet antikombëtare në Kosovë dhe më gjerë.

Nëse elita politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pretendohet për t’u përmbysur, atëherë në fakt po kërkohet që të mbytet elementi thelbësor i shtetkrijimit. Në fakt pretendohet likuidimi i etërve të shtetit të Kosovës, bërthama liribërëse e vendit, elita shtet krijuese.

Eliminimi i klasës politike dhe ushtarake të Kosovës nuk është ruajtje e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përkundrazi është ndëshkimi më i maskuar dhe më perfid i vlerave të Ushtrisë Çlirimtare, asgjësimi i vetë UÇK-së, bashkë me individët. Është njësoj si pretendimi që njeriut t’i hiqet koka që të shpëtojë pjesa tjetër e trupit.

Në tërë këtë përpjekje për të ndarë individët e UÇK-së dhe UÇK-në, një rol jo dinjitoz po luajnë një pjesë e madhe e shtypit dhe disa OJQ. Mediet e Kosovës patën një rast të mirë për ta demaskuar deri në fund qëndrimin racist dhe antinjerëzor të një përfaqësuesi të EULEX-it që ish pjesëtarët e burgosur të UÇK-së i quajti me emrin ekstrem fyes: shtazë!

Mediet tona po të ishin idhnake aq sa janë ndaj “individëve” të UÇK-së, me një fushatë të zakonshme do të bënin që një pjesëtar i tillë i EULEX-it të ikte nga Kosova me turp. Përkundrazi, ajo fyerje kalon lehtë dhe mediet rrinë me sy çelur për të parë dhe ditur se kush do të arrestohet nga Gjykata Speciale.

Mediet tona më me vullnet dhe dëshirë presin rënien e kokave të “individëve” që të ruhet nderi dhe fytyra e organizatës politike, se sa qortimin e sjelljeve arrogante të diplomatëve të rëndomtë në Prishtinë, që ia përplasin derën qoftë edhe kreut të shtetit të Kosovës.

Mediet më me dëshirë i qëndrojnë mbi kokë dhe ushtrojnë trysni mbi “individët” e Kosovës se sa të qortojnë sjelljen, bie fjala të një nëpunësi të zakonshëm të BE-së, i cili me arrogancë dhe pa asnjë hezitim merr guximin që sa herë që vjen në Prishtinë, kërkon të bëhet pjesë e takimit dhe agjendës me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.

Në një atmosferë të rënduar nëpër të cilën po kalon Kosova, një gjë duhet ta kenë parasysh qoftë qarqet tona politike të brendshme, qoftë mediet, qoftë OJQ-të, qoftë EULEX-i, se ata që i gëzohen likuidimit politik të elitës shtetformuese të Kosovës, në fakt i gëzohen traumës më të madhe që mund të shkaktohet me aktin e heqjes së kokës nga organizmi i gjallë.

Autor Ismail Syla