Major gjeneralja Alenka Ermenc, 55 vjeçe, mori postin të mërkurën duke zëvendësuar major gjeneralin Alan Geder, që qëndroi në post për vetëm gjashtë muaj pasi paraardhësi i tij u shkarkua për shkak të performancës së dobët të trupave ukrainase gjatë testeve të NATO-s.
Presidenti slloven, Borut Pahor, tha se emërimi i Ermenc, do të ndihmojë në përmirësimin dhe modernizimin e forcave të armatosura të vendit.
“Tendenca globale e përkeqësimit të situatës së sigurisë vazhdon dhe Sllovenia, pavarësisht se nuk është drejtpërsëdrejti e kërcënuar ushtarakisht, duhet të forcojë ushtrinë e saj”, u shpreh Borut Pahor.
Ermenc u promovua në gradën e gjeneral majores javën e kaluar, duke u bërë e para femër që merr këtë pozicion në vendin e vogël evropian prej vetëm dy milionë banorësh.
Ajo ishte edhe e para grua që udhëhoqi një batalion në forcat e armatosura sllovene.
E arsimuar në Britaninë e Madhe, ajo u dislokua në Kosovë për gjashtë muaj si pjesë e një misioni paqeruajtës në 2009.
Ajo tani do të udhëheqë 7500 trupat ushtarake të vendit, ku përfshihen edhe rezervat.
Një zyrtar i NATO-s tha pas këtij vendimi se aleanca prej kohësh e ka njohur dhe vlerësuar rëndësinë e grave në forcat e armatosura.