Policia thotë se protestuan mbi 6 mijë serbë në Veri

Ka përfunduar protesta e organizuar nga serbët në Mitrovicën Veriore. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, për Express

Ka përfunduar protesta e organizuar nga serbët në Mitrovicën Veriore. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, për Express ka treguar si shkoi protesta dhe sa protestues ishin pjesëmarrës.

Hoti tregon se protesta e zhvilluar sot në Mitrovicën Veriore për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë për taksen 100 për qind ndaj produkteve serbe, ka përfunduar e qetë.

“Ka përfundu protesta në ora 13:00, protesta ka qenë e qetë pa telashe pa ngarkesa, gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë Hoti për Gazetën Express.

Tutje, zëdhënësi i policisë thotë se numri i protestuesve ka qenë rreth 6-7 mijë.

Ndërkaq mediat serbe në veri e kanë rritur këtë numër duke thënë se sot kanë qenë rreth 10 mijë protestues.

 Banorët serbë po drejtoheshin nga zyrtarët e lartë të Listës Srpska.

Vetëm një orë më parë kishin dhënë dorëheqje katër kryetarë të komunave serbe, duke përfshirë edhe Goran Rakiqin e Mitrovicës Veriore. Bashkë me të edhe kryetarët e Zveqanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka konfirmuar se punonjësit serbë kanë vendosur ta bojkotojnë punën në këtë institucion.

Në protestë mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo.

Muaj më parë ministrat serbë kanë njoftuar daljen nga Qeveria Haradinaj. Ndonëse zyrtarisht bartin akoma postet e tyre, ministrat serbë kanë injoruar secilën mbledhje të Qeverisë, që nga arrestimi i Marko Gjuriqit në mars të këtij viti.

Lista Srpska po ashtu ka ofruar nënshkrimet e saj për ta rrezuar qeverinë, menjëherë pasi Qeveria e Kosovës kishte vënë taksë prej 10 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe, për shkak të fushatës së egër ndaj shtetësisë së Kosovës.