• E mërkurë / Dec-07 15:24
  • Kontakt

Ambasadorët e BE-së pajtohen për sanksione të reja kundër Rusisë

Ambasadorët e BE-së pajtohen për sanksione të reja kundër Rusisë

Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar për një raund tjetër të sanksioneve kundër Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë, kanë njoftuar nga Çekia që së fundmi ka marrë presidencën e BE-së.

“Ambasadorët arritën marrëveshje politike lidhur me sanksionet e reja kundër Rusisë”, thuhet ndër tjera në kumtesë, transmeton Telegrafi.

Edita Hrda, përfaqësuese e përhershme e Republikës së Çekisë në BE, ka njoftuar se sanksionet janë kundërpërgjigje ndaj aneksimit rus të katër rajoneve të Ukrainës, që Perëndimi e konsideron si të kundërligjshme.

Këtë mëngjes presidenti rus Vladimir Putin, ka nënshkruar dekretin me të cilin katër rajonet e Ukrainës do t’i bashkohen Rusisë.

Në fillim të kësaj jave, Parlamenti rus ratifikoi këtë vendim ku katër rajonet e Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia t’i bashkohen Rusisë.

Në anën tjetër, referendumi i mbajtur nga Rusia në këto katër rajone, është cilësuar si “turp” nga vendet perëndimore.