Braziliani ishte dje në Angli, ku kreu vizitat, nënshkroi kontratën dhe bëri edhe prezantimin zyrtar me “The reds”, përpara se t’u rikthehej sërish pushimeve verore.
“Duke parë ecurinë e karrierës time, mund të them se është një fat dhe kënaqësi e madhe, që tashmë do të jem pjesë e Liverpoolit. E vetmja gjë që dua të premtoj, është se do të bëj më të mirën në fushë, për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave”, tha Alisson.
Portieri brazilian do të gjejë te skuadra e Klopp edhe një tjetër futbollit, të cilin e ka pasur shok skuadre te Roma. Bëhet fjalë për yllin egjiptian, Muhamed Salah, i cili u transferua te “The reds” verën e kaluar dhe mori menjëherë rolin e liderit te skuadra e Klopp, duke shënuar dhe asistuar pa fund.
“E vërteta është se që kur u largua nga Roma, me Salah u takova vetëm në ndeshjet e Championsit. Ndërkohë që po mbërrija në Liverpool, më dërgoi një sms, ku më thoshte ‘çfarë po pret akoma’, ndërsa unë i tregova se jam duke mbërritur. është një futbollist dhe njeri i shkëlqyer, ndaj do të jetë një kënaqësi për mua, që do ta rigjej sërish në skuadër”, deklaroi portieri më i shtrenjtë i historisë.