Kush ishte Fadil Vokrri, shqiptari i vetëm që u duartrokit nga serbët

Fadil Vokrri, figurë e respektuar nga të gjithë.

SHARE TWEET SHARE EMAIL KOMENTE Download WordPress Themes and plugins.Free Download Nulled WordPress Themes and plugins.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Fadil Vokrrit, ish futbollistit të njohur kosovar, por njëkohësisht edhe drejtues i Federatës së Futbollit në Kosovë, tronditi opinionin sportiv mbarëshqiptar.

Kreu i FFK-së humbi jetën paraditen e sotme, teksa ishte në një qendër fitnesi dhe pësoi një infarkt në zemër, ku pavarësisht ndihmës së shpejtë dhe transportit në spital, nuk ia doli të mbijetojë.

Po kush ishte Fadil Vokrri:

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse në moshën 17-vjeçare debutoi me KF Llapin në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF Prishtina, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë. Më pas në Ligën e Parë të Jugosllavisë, me fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të ’80 ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në këtë Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit, ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë, në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk, ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 mori drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, si njeriu më i duhur për ta drejtuar këtë institucion drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë 4-vjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhimitt dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare, zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. Ai la pas bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin e Albertin dhe vajzën Albanën.