Gjermanët investojnë 25 milionë euro në një projekt energjetik

Gjermanët investojnë 25 milionë euro në një projekt energjetik

Kompania gjermane “RPP-Germany” ia ka dorëzuar kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtirit planin energjetik për grumbullimin e mbeturinave e riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë për të cilin do të investojë 25 milionë euro.

Rreth 30 milionë euro do t’i investohen në Mitrovicës gjatë këtij viti në disa projekte energjetike dhe infrastrukturore.
Biznesmenë nga Gjermania dhe nga Zvicra do të investojnë 25 milionë euro në Mitrovicë dhe rreth 100 milionë euro në gjithë Kosovën në disa projekte energjetike.

Përfaqësues të kompanisë “RPP-Germany”, Safet Sadiku dhe Avni Nasufovski, kanë takuar kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtirin dhe i kanë dorëzuar planin energjetik për grumbullimin e mbeturinave e riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë.

Ata gjatë takimi me të parin e Mitrovicës kanë siguruar se kompania do të investojë në disa projekte energjetike në Kosovë, ndërsa kanë zgjedhur Mitrovicën për t’i filluar projektet e tyre.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh mirënjohës për interesimin e tyre për investuar në Mitrovicë dhe në Kosovë, e më pastaj i njoftoi ata lidhur me kushtet që ofron Komuna e Mitrovicës për investitorët e huaj.

Përfaqësuesi për Ballkan i kompanisë “RPP-Germany”, Avni Nasufoski, pasi ia dorëzoi biznes-planin kryetarit Bahtiri, e njoftoi atë lidhur me projektin energjetik i cili ka për qëllim grumbullimin dhe riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë.

Ai tha se ky projekt gjatë realizimit në qytetin e Mitrovicës do të ketë koston prej 25 milionë eurosh, të cilat do t’i investojë kompania.