FMN rritja ekonomike globale 3.6%

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) rriti projeksionet për ekonominë globale këtë vit edhe tjetrin

Në përditësimin e fundit të raportit mbi perspektivën ekonomike globale, Fondi parashikon se ekonomia do të rritet me 3.6 për qind në 2017-ën dhe 3.7 për qind në vitin që vjen.

Të dy projeksionet janë 0.1 për qind sipër vlerësimeve të mëparshme dhe kalojnë normën e rritjes globale për 2016-ën prej 3.2 për qind, që ishte edhe norma më e ulët që prej krizës financiare globale.

Sipas ekonomistëve të fondit me seli në Uashington, rivlerësimet janë bërë prej performancës pozitive në ekonomitë kryesore. “Shohim një rritje të shpejtë ciklike që po nxit ekonomitë kryesore përfshirë Europën, Kinën, Japoninë, Shtete e Bashkuara, si dhe Azinë në zhvillim”, deklarojnë zyrtarët e Fondit.

Për vendet në zhvillim, FMN projekton një normë të rritjes ekonomike prej 4.6 për qind këtë vit dhe 4.9 për qind në vitin 2018. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia kineze pritet të arrijë një normë të rritjes prej 6.8 për qind këtë vit, që është 0.3 për qind sipër objektivit zyrtar të qeverisë kineze dhe kalon normën e vitit 2016, që ishte më e ulëta në 26 vite.

Për vendet e zhvilluara, projektohet një rritje me 2.2 për qind këtë vit dhe 2 për qind në vitin 2018, duke rivlerësuar në rritje parashikimet e Korrikut. Sipas FMN, rimëkëmbja në Eurozonë pritet të rifitojë vrull këtë vit, duke arritur një normë prej 2.1 për qind të rritjes ekonomike.

Fondi rishikoi edhe Japoninë në 1.5 për qind këtë vit. Ndërsa rritja ekonomike globale në periudhë afatshkurtër mund të rritet më tej për shkak të kushteve të mira në tregje dhe besimit më të fortë të investitorëve.