• E mërkurë / May-07 04:21
  • Kontakt

Ministrat e Jashtëm takohen në Itali për G7-ën e fundit të administratës së Bidenit

Ministrat e Jashtëm takohen në Itali për G7-ën e fundit të administratës së Bidenit

Ministrat e Jashtëm nga vendet kryesore të industrializuara të botës po takohen të hënën, me luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme që po hyjnë në faza vendimtare dhe me një presion të caktuar për të çuar përpara përpjekjet diplomatike përpara se të marrë përsipër administrata e re e SHBA.

Shpresat për ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gaza dhe Liban janë kryesisht në axhendën e takimit të Grupit të Shtatë jashtë Romës që po mbledh ministra nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Në ditën e parë të mbledhjes dyditore të hënën, G7-ës do t’i bashkohen ministra nga Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe.

“Me partnerët do të diskutohen mënyrat për të mbështetur përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Gaza dhe Liban, nismat për të mbështetur popullsinë dhe promovimin e një horizonti politik të besueshëm për stabilitet në rajon”, tha Ministria e Jashtme italiane, raporton Associated Press.

Kryediplomati italian Antonio Tajani shtoi një tjetër pikë në agjendën e G7-ws javën e kaluar pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe shefin ushtarak të Hamasit.

Italia është një anëtar themelues i gjykatës dhe priti konferencën e Romës në 1998 që e lindi atë. Por qeveria e krahut të djathtë të Italisë ka qenë një mbështetëse e fortë e Izraelit pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, duke ofruar gjithashtu ndihmë humanitare për palestinezët në Gaza.

Qeveria italiane ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, duke rikonfirmuar mbështetjen dhe respektin e saj për gjykatën, por duke shprehur shqetësimin se urdhër-arrestet ishin të motivuara politikisht.

“Nuk mund të ketë ekuivalencë mes përgjegjësive të shtetit të Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit”, tha kryeministrja Giorgia Meloni, duke i bërë jehonë deklaratës së presidentit amerikan Joe Biden.

Pika tjetër kryesore e bisedimeve të takimit të G7 është Ukraina dhe tensionet janë rritur vetëm që kur Rusia sulmoi Ukrainën javën e kaluar me një raketë balistike eksperimentale hipersonike që përshkallëzoi luftën gati 33-mujore.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha pritet në G7 në Fiuggi të martën dhe NATO-jadhe Ukraina do të mbajnë bisedime urgjente të njëjtën ditë në Bruksel.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmi ishte hakmarrje për përdorimin nga Kievi të raketave me rreze më të gjatë të SHBA-së dhe Britanisë, të afta për të goditur më thellë në territorin rus, transmeton Klankosova.tv.

G7 ka qenë në ballë të ofrimit të mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022 dhe anëtarët e G7 janë veçanërisht të shqetësuar se si një administratë Trump do të ndryshojë qasjen e SHBA.

Trumpi ka kritikuar miliarda dollarët që administrata Biden ka derdhur në Ukrainë dhe ka thënë se ai mund t’i japë fund luftës në 24 orë, komente që duket se sugjerojnë se ai do të ushtronte presion ndaj Ukrainës për të dorëzuar territorin që Rusia tani e pushton.

Takimi i ministrave të jashtëm të G7-ws, i dyti i presidencës italiane pas atij tw ministrave të mbledhur në Capri në prill, po mbahet në qytetin mesjetar Fiuggi në juglindje të Romës, më i njohur për llixhat e tij termale.