Tensionet në veri, Vucic takohet me Ramën dhe liderët e tjerë të Ballkanit

Tensionet në veri, Vucic takohet me Ramën dhe liderët e tjerë të Ballkanit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u takua me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian që po zhvillohet në Kishinau të Moldavisë. Ka qenë presidenti serb ai i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale disa foto.

“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”, shkruan Vuçiq.

Vuçiq është takuar edhe me udhëheqës të tjerë shtetëror të Ballkanit, si presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin e RMV-së, Dimitar Kovaçevski dhe anëtaren serbe të kryesisë së Bosnje Hercegovinës, Željka Cvijanović. Në fokus të diskutimeve të tyre ka qenë situata në veri të Kosovës.