BE: Pjesëmarrja e Vulinit në konferencën në Moskë, nuk i kontribuon besueshmërisë

BE: Pjesëmarrja e Vulinit në konferencën në Moskë, nuk i kontribuon besueshmërisë

Pjesëmarrja e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandar Vulin, në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, nuk kontribuon në besueshmërinë dhe gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të punojë me dikë si ai, tha një zyrtar i Brukselit për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Natyrisht, shtetet anëtare të BE-së po e shikojnë atë [veprimtarinë e Vulinit] dhe kjo do të reflektohet në procesin e anëtarësimit dhe në marrëdhëniet bilaterale, si me të ashtu edhe me autoritetet serbe në përgjithësi”, tha ky zyrtar në një deklaratë për REL-in.

I pyetur për të komentuar këtë vizitë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kujtoi reagimin ndaj takimit të mbajtur më 23 maj, ndërmjet Milorad Dodik, president i Republikës Sërpska, që është njëra prej entiteteve të Bosnjë e Hercegovinës dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Bashkimi Evropian ishte i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë, me regjimin e Putinit, nuk mund të jenë normale, nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia”, tha Stano.

Ai iu referua edhe deklaratës së kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, i tha Serbisë se “mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe është e dëmshme për interesin kombëtar të Serbisë”.

Vizita e Aleksandar Vulin në Moskë u zbulua në fotot e publikuara nga Russia Today Balkan, në lajmet e 24 majit.

Në foto shihet kreu i BIA-s dhe pjesëmarrës të tjerë të konferencës, përfshirë Milorad Dodikun.

Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e Vulin në konferencën në Moskë nuk u publikua në faqet e internetit të institucioneve zyrtare të Serbisë.

Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd kritikuan pjesëmarrjen e Vulin në konferencën në Moskë.

Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, në të cilën shprehi shqetësimin për emërimin e Vulin në krye të BIA-s. Në tekstin e rezolutës, Vulin përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.