Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi priti sot në takim një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës i kryesuar nga deputetja e Parlamentit të Kosovës znj. Valentina Bunjaku Rexhepi.
Kryetari Arifi e informoi deputeten Bunjaku për zhvillimet aktuale në Bujanoc dbe për gjendjen e shqiptarëve në Luginë. Ai gjithashtu falemnderoi gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që gjatë ditës së djeshme ratifikuan marrëveshjen brenda Procesit të Berlinit, e që ka rëndësi të veçantë edhe për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës ngase në këtë marrëveshje parashihen njohja e dokumenteve dhe diplomave mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në mesin e të cilëve edhe mes Kosovës dhe Serbisë, dhe pret që tani të njejtën gjë ta bëjë edhe Serbia.
Nga ana tjetër, deputetja Valentina Bunjaku Rexhepi shprehi gatishmërinë që çdo kërkesë që kanë shqiptarët e Luginës do ta shtrojë në Kuvendin e Kosovës. Ajo gjithashtu theksoi se do të përkrah çdo vendim që do të ishte në dobi të qytetarëve të Luginës. Duke qenë se komuna e Gjilanit dhe e Bujanocit janë komuna fqinje dhe qytetarët e këtyre dy komunave kanë edhe lidhje farefisnore, bashkëpunimi dhe ndihma që ajo do të ofrojë do të jetë e vazhdueshme.