Vendimi për targat shtyhet deri në Prill të vitit 2023

Vendimi për targat shtyhet deri në Prill të vitit 2023

Kryeministri i Kosovës ka propozuar në mbledhjen e sotme të qeverisë qe vendimi i Kosovës për ndalimin e targave ilegale të “sekuencohet” dhe “shkallëzohet”.

Kurti në mbledhjen e qeverisë ka thënë se me vendimin e qeverisë, pronarët e mjeteve me targa ilegale janë obliguar që t’i kthejnë në targa zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ai më tutje është shprehur se pas diskutimeve të brendshme me ministrinë e linjes dhe organet e sigurisë, kanë ardhur në përfundimin e sekuencimit dhe shkallëzimit të sanksioneve sa i përket këtij vendimi.

Këto “sekuencime” dhe “shkallëzime” do të pasohen me masa të ndryshme nga qeveria dhe autoritetet kosovare, por targat ilegale nuk do të ndalohen tërësisht deri pas prillit të vitit të ardhshëm.

“Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo GJA janë targa ilegale, qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale që të njëjtat t’i kthejnë në targa zyrtare RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me ministrinë e linjes dhe organet e sigurisë dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi për 3 javë nga data 1 nëntor deri në 21 nëntor, masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori, për 2 muaj deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë, dhe prej datës 21 prill, pas së cilës datë nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Nëpërmjet këtij sekuencimi dhe shkallëzimi ne tregojmë edhe njëherë seriozitet që pa dyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë por në të njëjtën kohë t’iu japim kohë të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen. Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin, por edhe ta kemi ndjeshmërinë tonë për përkushtimin ndërkombëtar sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”, tha Kurti.