Ministri Murati dhe ambasadori norvegjez Grondahl flasin për mbështetjen e sektorit privat në kohë pandemie

Ministri Murati dhe ambasadori norvegjez Grondahl flasin për mbështetjen e sektorit privat në kohë pandemie

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, ku u  diskutua për bashkëpunimin ndër shtetërorë dhe për gjendjen emergjente shëndetësore me pandeminë COVID-19.

Ministri Murati e falënderoi ambasadorin Grøndahl për projektet të cilat i ka financuar shteti norvegjez në Kosovë, me theks të veçantë projektet në sistemin e drejtësisë dhe shoqëri civile.

Gjatë takimit, Murati dhe ambasadori Grøndahl diskutuan për gatishmërinë dhe masat që do të ndërmarrë Qeveria Kurti për t’i ofruar mbështetje financiare sektorit privat të ndikuar drejtpërdrejt nga vendimi i Qeverisë si dhe për Planin zhvillimor dhe legjislativ të Qeverisë me theks të veçantë formalizimin e ekonomisë, luftimin e korrupsionit si dhe zbatimin e ligjit.

Ndërsa, ambasadori norvegjez Jens Erik Grøndahl shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se mbështetja e shtetit norvegjez do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi  ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës do të rritet dhe do të përfshijë edhe fusha tjera në të ardhmen./RTVALDI/