Neville thotë se Ronaldo ka një plan si ta thyejë rekordin e Peles dhe të bëhet më i miri në histori

Neville thotë se Ronaldo ka një plan si ta thyejë rekordin e Peles dhe të bëhet më i miri në histori

Superylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka një plan si ta tejkalojë Pelen në listën e golashënuesve dhe të bëhet më i miri i të gjitha kohërave – thotë Gary Neville.

Portugezi ka kaluar 18 vite të jashtëzakonshme në nivelin e lartë të futbollit duke fituar tituj dhe kupa në të gjitha ligat ku ka luajtur, duke e fituar plot pesë herë Ligën e Kampionëve dhe po aq Topa të Artë, duke thyer rekorde të shumta, si edhe ka triumfuar me Portugalinë në Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve.

Lionel Messi është konsideruar si futbollisti më i talentuar në dy dekadat e fundit, mirëpo CR7 është treguar më vrasës para portës dhe nuk e ka në plan të ndalet përkundër moshës së avancuar.

Neville ka folur për përkushtimin e madh të 35-vjeçarit në zhvillimin e tij dhe kalimin e kufijve, si dhe beson se Ronaldo është i fokusuar që ta tejkalojë legjendën braziliane, Pele.

Besohet se 79-vjeçari e mban rekordin golashënues me 1.000 gola në emrin e tij, ndërsa Neville beson se ish-bashkëlojtari i tij nuk do të ndalet derisa ta kalojë atë shifër.

“Motivimi i tij për t’u bërë më i miri në botë, ishte i jashtëzakonshëm. Ai ishte nga lojtarët e paktë me të cilët kam luajtur që e ka pranuar publikisht se trofetë individuale janë të rëndësishme për të”.

“Thjesht donte të ishte më i miri dhe ajo që ka bërë ndër vite ka qenë absolutisht e jashtëzakonshme. Arritjet e tij kanë qenë mahnitëse dhe ai ka punuar shumë për to”.

“E ka fiksim të shënojë gola dhe ta tregojë veten çdo ditë, të jetë në formën më të mirë të mundshme fizike. Mendoj se e ka ngritur profesionalizmin e tij secilin vit dhe ka përparuar”.

“Mendoj që ka një plan ta thyejë rekordin e Peles. Ai do të bëhet më i miri i të gjitha kohërave dhe ky është qëllimi i vetëm”.

“Gjatë rrugëtimit të tij për t’u bërë më i miri në histori, skuadrat për të cilat luan fitojnë trofe dhe bëhen të suksesshme”, ka deklaruar Neville për Sky Sports