• E mërkurë / Apr-08 01:40
  • Kontakt

Mocioni për mosbesimin e Qeverisë Kurti në sytë e mediave ndërkombëtare

Mocioni për mosbesimin e Qeverisë Kurti në sytë e mediave ndërkombëtare

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti i iniciuar nga partneri i koalicionit LDK-ja, ka zënë vend të veçantë edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare, duke theksuar se kjo ndodhi në kohën kur vendi po ballafaqohet me krizën e pandemisë së coronavirusit.

BBC në një artikull të botuar me titullin “Mosmarrëveshjet për coronavirusin ndihmuan në rrëzimin e qeverisë”, thekson se qeveria ra pasi shumica e deputetëve votuan për. Tutje thuhet se e tëra ndodhi pas afro dy muajve qeverisje. Artikulli ka elaboruar atë se si do të tejkalohet kjo krizë politike, në kohën kur pandemia ka kapluar vendin dhe nuk ka gjasa që të mbahen zgjedhje të reja.

E përditshmja britanike The Guardian shkruan se “Qeveria e Kosovës ra nga mocioni i mosbesimit”, duke vënë theks të veçantë se si e tëra filloi me shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu nga ana e Albin Kurtit. Madje thuhet se pas një debati 12 orësh, deputetët votuan për rrëzimin e qeverisë me 82 pro, 32 kundër dhe një 1 abstenim.

Edhe New York Time i ka kushtuar një artikull situatës në Kosovë, në veçanti rrëzimit të qeverisë përmes mocionit të mosbesimit. Në artikullin me titull “Coronavirusi ndihmoi rrëzimin e qeverisë së Kosovës, me ndihmë të vogël nga SHBA-të”, thuhet se kritikët besojnë se diplomacia amerikane gjithashtu ka luajtur rol në këtë çështje.

Madje thuhet në artikull se votimi është mbështetur paraprakisht nga Shtetet e Bashkuara, diplomatët e të cilit i bën shumë presion Albin Kurtit për shkak të këndvështrimit të tij rreth një marrëveshje paqeje në rajon.

Por rrëzimi i tij është dënuar nga Franca dhe Gjermania, të cilët përmes një deklaratë të përbashkët kritikuan rrëzimin e qeverisë në kohën e pandemisë, thuhet në artikullin e New York Times.

Sikurse shumë media tjera edhe Deutsche Welle i ka kushtuar një artikull situatës në Kosovë pas rrëzimit të qeverisë Kurti. Me titullin “Qeveria e Kosovës bie nga mocioni i mosbesimit për shkak të veprimeve ndaj coronavirusit”, DW thekson se Qeveria Kurti ka rënë pasi është kritikuar për mos ndërmarrjen e veprimeve të duhura për pandeminë e coronavirusit.