ZYRTARE: Shtyhen ndeshjet e Champions e Europa League

UEFA ka njoftuar se të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe të Europa Leagues, të parapara për t’u zhvilluara javën tjetër janë anuluar.

Ndeshjet e kthimit të së tetës së finales Manchester City – Real Madrid dhe Juventus – Lyon, ishin shtyrë tashmë.

Ndërsa, tash u zyrtarizuan edhe shtyrja e ndeshjeve ndërmjet Bayern Munichut me Chelsean dhe Barcelonës me Napolin.

Gjithashtu, janë shtyrë edhe ndeshjet e Europa Leagues.

“Për shkak të përhapjes së COVID-19 në Evropë dhe në bazë të vendimeve nga Qeveritë e ndryshme, ndeshjet e organizuara nga UEFA, të parapara për javën tjetër, janë shtyrë”, njofton shtëpia e futbollit evropian.

“Kjo i përfshin ndeshjet e UEFA Champions League, të tetën e finales së paraparë të luhet më 17 e 18 mars 2020. Gjithashtu, edhe të gjitha ndeshjet e së tetës së finales së UEFA Europa League, që ishin paraparë të luheshin më 19 mars 2020. Ndër të tjera, janë shtyrë edhe të gjithë ndeshjet e UEFA Youth League, respektivisht ndeshjet çerekfinale të parapara më 17 e 18 mars 2020”, vazhdon njoftimi i UEFA-s.

Ndeshjet janë shtyrë për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së koronavirusit.