Universiteti rus e cilëson Universitetin e Prishtinës partner dhe pjesë të Serbisë, demanton UP-ja

Universiteti rus e cilëson Universitetin e Prishtinës partner dhe pjesë të Serbisë, demanton UP-ja

Në kuadër të zhvillimit dhe zgjerimit të programit arsimor,  Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, tashmë ka lidhur  marrëveshje bashkëpunimi me shumë Universitete të tjera ndërkombëtare.

Por, marrëveshje bashkëpunimi me UP-në, po pretendon që ka edhe Universiteti “MGIMO” në Rusi.

Duke ju referuar të dhënave në faqen zyrtare të këtij Universiteti,  thuhet se ka marrëveshje bashkëpunimi me më shumë se 200 parterë të  jashtëm në 63 vende të ndryshme të botës.

Ky Universitet ka listuar si partner edhe Universitetin e Prishtinës,  duke e listuar atë si Universitet të Serbisë, pranë Universitetit të  Beogradit.

Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë  reaguar ndaj këtij pretendimi të Universitetit rus “MGIMO”, duke hedhur  poshtë pretendimet se kanë bashkëpunim me universitetin në fjalë.

Drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në UP, Lumnije Bajrami  ka thënë për Telegrafin se kanë kërkuar sqarim nga Universiteti “MGIMO”  se përse e kanë listuar Universitetin e Prishtinës si partner.

“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se Universiteti i  Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka asnjë marrëveshje me Universitetin  “MGIMO” në Rusi. Për më tepër Universiteti i Prishtinës, i ka shkruar  shkresë zyrtare Universitetit “MGIMO” për të kërkuar sqarim se pse ky  institucion ka listuar se gjoja ka marrëveshje me Universitetin e  Prishtinës, kur kjo nuk qëndron”, ka thënë Bajrami.

Universiteti “MGIMO” (Moscow State Institute of International  Relations) është një institucion akademik i udhëhequr nga Ministria e  Punëve të Jashtme të Rusisë, i cili njëkohësisht njihet edhe si njëri  ndër universitetet më elitare në Rusi.

Maturantët e rinj të cilët pranohen në këtë Universitet, përzgjidhen  nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe pasi që diplomojnë, ata  orientohen për të punuar në organet qeveritare, ministritë dhe kryesisht  nëpër Ambasadat ruse nëpër vende të ndryshme të botës.

Në këtë Universitet mësohet edhe gjuha shqipe, përfshirë edhe gjuhët  tjera si ajo bullgare, hungareze, greke, polake, rumune, moldave, serbe,  kroate, çeke dhe sllovake.

Ndryshe faqja e MGIMO në raport me Kosovën, përfaqëson politikat më destruktive, ashtu si vet Federata Ruse.