Konjufca: Nëse presidenti nuk e nënshkruan shkarkimin e ambasadorëve, e çoj në Kushtetuese

Konjufca: Nëse presidenti nuk e nënshkruan shkarkimin e ambasadorëve, e çoj në Kushtetuese

Kryediplomati Glauk Konjufca po raporton në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme. Ai thotë se nëse presidenti Hashim Thaçi nuk e nënshkruan dekretin e shkarkimit të 7 ambasadorëve, atëherë do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese

Ministri Konjufca i shpreh mirënjohje ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku që, sipas tij, e lexoi saktë ligjin dhe e pranoi tërheqjen nga misioni diplomatik.

Ndërkaq, Konjufca thotë se siç e sheh ai ligjin, presidenti i vendit nuk mund t’i vërë veto dhe duhet ta nënshkruajë dekretin e shkarkimit.

“Nëse ai tenton të vërë veto, atëherë mund ta konsiderojë dërgimin e tij në Kushtetuese”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka shpjeguar pse i shkarkoi 14 konsujt dhe pse po kërkon largimin e 7 ambasadorëve, përfshirë edhe Vlora Çitakun që është ambasadore e Kosovës në Uashington.

“Në MPJ ka pasur shumë emërime të paligjshme në shumë funksione, edhe si shefa të misioneve diplomatike. 14 konsujt e shkarkuar kanë qenë krejtësisht jashtë procedurave ligjore, pa konkurs. Propozimin për tërheqjen gjashtë ambasadorëve dhe një konsulli, e kam bërë në përputhje me ligjin ku thuhet se nuk parashihet një mandat i dytë për të emëruarit politikë në pozitën e ambasadorëve”.

“Ne kemi pasur 7 raste në shpërputhje me këtë ligj, dhe jam detyruar të marrë një vendim për të vënë ligjshmërinë. Unë kam filluar prej atyre që janë shkelje më brutale, që janë eksplicite në raport me ligjin”, ka thënë Konjufca.

 “Arsyeja e dytë është se, ju duhet ta kuptoni që në bazë të resurseve që i kemi në MPJ, kur kam kërkuar një gjendje të ligjshmëritë për emërime, rezultati ishte shqetësues. Jemi në një gjendje ku rreth 70 për qind e shefave të misioneve janë të emëruar politikisht”, është shprehur Konjufca.