Ndër masat parandaluese për virusin vdekjeprurës i cili ka prekur pothuajse të gjitha vendet e rajonit, në Kosovë pritet që ministria e Arsimit të marrë vendim për ndërprerjen e mësimit.
Po dyshohet për tetë raste të infektuar me këtë virus në Kosovë, mirëpo ende asnjë nga to nuk është konfirmuar.
E për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, pritet që edhe MASHTI të marrë vendim për ndërprerjen e mësimit në Kosovë, në të gjitha nivelet.
“MASHT-i do të marrë vendim për ndërprerjen e mësimit në Kosovë, në të gjitha nivelet”, ka thënë një burim për lajmi.net.
Ndërsa, kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jashari ka treguar nëse edhe në Kosovë do të kërkohet të ndërpritet mësimi, pasi po dyshohet për raste me koronavirus.
“Ne si sindikatë me status nuk e kemi këtë të drejtë por jemi në gjendje gatishmërie, Ministria e Arsimit ka deklaruar se është bashkë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me një Komision që është formuar cilindo veprim që ata e marrin në shërbim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe arsimtarëve ne do ta përkrahim”, ka thënë Jashari për lajmi.net.
Kujtojmë se në Shqipëri vetëm gjatë dy ditëve të fundit është raportuar për 10 persona të infektuar nga ky virus, ndërkohë që kreu i Qeverisë, Edi Rama ka kërkuar që të ndërpritet mësimi dhe të ndalen të gjitha aktivitetet deri më 3 prill.
Përveç kësaj, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka urdhëruar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e Shqipërisë.