Ish-këshilltari i Haradinajt: E duartrokas vendimin e Konjufcës, s’ka më diplomaci rrugaçësh, të pa shkollë…

Ish-këshilltari i Haradinajt: E duartrokas vendimin e Konjufcës, s’ka më diplomaci rrugaçësh, të pa shkollë…

Ish-këshilltari i Ramush Haradinajt, Halil Matoshi e ka quajtur të drejt vendimin e MPJ-së për shkarkimin e 14 konsujve të emëruar në kohën e qeverisë “Haradinaj”.

Ai thotë se me 3 shkurt në një shkrim në media e kishte paralajmëruar këtë hap që sot e ndërmori ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

Shkarkimi i konsujve që kanë marrë detyra përmes lidhjeve nepotiste e partiake do të ketë kuptim vetëm nëse Ministri ia rikthen kredibilitetin konkursit publik që nxjerr në pah vlera dhe meritokraci. Kam shkruar se Qeveria Kurti nëse arrin t’ia kthejë dinjitetin e Republikës, duke mos e lënë diplomacinë e saj në duer militantësh partiakë, rrugaçësh t’pa shkollë e shoferësh, unë si rival politik, do ta duartrokas fort! Nëse arrin me ua mbyllë derën analfabetëve funksional, për t’i mbajtur jashtë sistemit, duke i dhënë kredibilitet konkursit publik, bravo i qoftë”, ka shkruar ai.

Më tej, Matoshi theksoi se nuk ka shumë rëndësi se kush janë ata që u shkarkuan, pasi, sipas tij, nuk ka asnjë dyshim në domosdoshmërinë e këtij akti, por jetike për ta rritë besueshmërinë dhe transparencën do të jenë emrat që do të pasojnë në vend të tyre.

“Vetëm atëherë do të shihet qartë motivi i vërtetë i shkarkimit të atyre konsujve të Republikës së Kosovës nepër botë”, ka deklaruar ai.