Vrasja e çiftit në Prizren, zbardhen detaje të reja

Vrasja e çiftit në Prizren, zbardhen detaje të reja

Para rreth 10 vjetëve çifti Durim e Suada Hadri kishin blerë një shtëpi dykatëshe në “Ortakoll” të Prizrenit.

Ndonëse kishin pasaporta suedeze, ata kishin vendosur që vitet e pleqërisë t’i kalonin në vendlindje. Kohë pas kohe në Prizren i vinin për vizitë tre fëmijët, dy djemtë dhe vajza.

Por njëri nga ta, Adriatiku ishte më misterioz. Gjithmonë kur vinte në Kosovë, ai qëndronte i mbyllur në shtëpi. Nuk dilte as në ballkon. Çifti për sjelljet e tij, arsyetohej te fqinjët se është i sëmurë.

E pikërisht Adriatiku 35-vjeçar po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, që dyshohet se e kreu për motive pronësore, shkruan Express.

Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në mëngjesin e 22 janarit të këtij viti. I dyshuari kryesor për vrasjen po cilësohet djali i tyre.

Ndërkohë në një përgjigje me shkrim nga prokuroria janë deklaruar se rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar Fitore Mehmeti zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.

Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H. mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri tani nuk kanë informacione të reja për vendndodhjen e tij. Ndërkohë në rast tashmë për hetime janë përfshirë edhe autoritet suedeze.