Juve i bën gati 270 milionë euro për Pogban

“Bianconeri” synojnë ta rikthejnë mesfushorin francez në Itali gjatë verës që vjen. Interesim për Pogban ka shfaqur edhe Real Madridi

Juventusi po mendon seriozisht për rikthimin e Paul Pogbas në Itali.

Mesfushori francez e kishte një eksperiencë të suksesshme në Torino, ndërsa më pas ishte rikthyer në Manchester United.

Tash, klubi nga Serie A është i interesuar ta rikthejë në ekip kampionin e botës me Francën.

E përditshmja italiane “Tuttosport” shkruan se Pogba do t’i kushtonte kampionit italian plot 270 milionë euro.

Në këtë shumë llogaritet edhe kartoni i futbollistit, që kushton 150 milionë euro, plus rrogat dhe obligimet tjera për kontratën katërvjeçare.

Juve po planifikon fillimisht që ta shesë një lojtar të madh, për të bërë sadopak para për blerjen e Pogbas në verën që vjen.

Francezi pritej të largohej nga “Old Trafford” verën e kaluar, por në fund nuk pati ndonjë ofertë serioze për të.

Thuhet se interesim për mesfushorin francez ka shfaqur edhe Real Madridi.