Dy prokurorë largohen nga rasti i vajzës nga Drenasi që u keqpërdor seksualisht

Prokurori Ruhan Salihu është përjashtuar nga rasti i Drenasit pas ngritjes së aktakuzës.

Java e parë e muajit shkurt të vitit 2019 shpërfaqi një ndër skandalet më të mëdha seksuale në vend.

Bëhet fjalë për rastin që njihet si rasti i Drenasit, për të cilin tashmë ka 6 persona të akuzuar se kanë keqpërdorur seksualisht të miturën A.G.

Pak ditë pas mësimdhënësit e rreshterit në këtë rast u përfshi edhe avokati Gazmend Halilaj, ky i fundit kishte ngritur një kallëzim penale kundër prokurorit të rastit Ruhan Salihut.

Avokati që kishte denoncuar vetë rastin e Drenasit, pretendonte se prokurori Salihu kishte kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar duke urdhëruar arrestimin e tij.

Por ky kallëzim penal nuk e pengoi prokurorin Ruhan Salihu që ta çonte lëndën deri në ngritjen e aktit akuzues.

Po në këtë aktakzuë, për veprën penale keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, është përfshirë edhe avokati Gazmend Halilaj.

E pas ngritjes së aktakuzës, më 30 tetor të këtij viti, Halilaj disa ditë më vonë dërgon një kërkesë në prokurorinë e shtetit dhe në Këshill Prokurorial.

Kështu konfirmon edhe avokati mbrojtës i Gazmend Halilajt, Bledar Gashi.

Kështu edhe ndodhi, Ruhan Salihu u përjashtua nga rasti Drenasi, për të cilin për muaj të tërë me ekipin e tij kreu hetimet.

Salihu, në një përgjigje për Televizionin ka konfirmuar se është larguar nga rasti por jo me kërkesën e tij.

Këtë vendim e ka marrë ushtruesi i detytës së  kryeprokurorit të Prishtinës,  Kujtim Munishi.

E jo vetëm Salihu, nga rasti është larguar edhe prokurorja Sebahate Hoxha, e cila është caktuar më pas për rastin Drenasi.

Seanca fillestare për këtë rast do të mbahet të enjten, më 26 nëntor.

Por, gjatë së mërkurës Munishi nuk është përgjigjur në pyetjet e Televizionit mbi arsyet e largimit të prokurorit Ruhan Salihu nga rasti.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk kanë treguar emrin e prokurorit që është caktuar për këtë rast.

T7 mëson se janë dy prokurore që mund të marrin këtë rast, bëhet fjalë për prokuroren Raze Loshaj ose Gjejrone Alaj.