Haziri: Çështja e Presidentit mund të shtyhet për më vonë

Haziri: Çështja e Presidentit mund të shtyhet për më vonë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar në lidhje me arritjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, ku tha se marrëveshja për postin e Presidentit mund të shtyhet edhe për më vonë.

Në një intervistë për Abc News, Haziri është shprehur i bindur se kjo marrëveshje do të arrihet edhe pse kanë mbetur vetëm edhe rreth 72 orë nga data e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Haziri ka zbuluar se ekziston edhe një mundësi, që marrëveshja për postin e Shefit të Shtetit mund të shtyhet për më vonë.

‘Do të arrijmë në një definicion dhe do të tejkalohet edhe çështja e Presidentit. Kjo mund të përballohet në ditët në vijim. Është kohë e mjaftueshme’, ka thënë Haziri.

Ai ndër të tjera ka thënë se Lidhja Demokratike nuk ka ndonjë emër për postin e Presidentit, por preferon ta ketë një kandidat konsensual.

‘Praktikisht angazhimi i LDK është për të ofruar president konsensual. Tani ne do të ofrojmë emra që me partnerët do i diskutojmë dhe do ndërtojmë një konsensus’, ka thënë ai.