Edi Rama të shpallet zyrtarisht “non grata” në Kosovë!

Edi Rama të shpallet zyrtarisht “non grata” në Kosovë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, e ka zgjedhur Tiranën si vendin më të përshtatshëm për ta izoluar Kosovën! Izolimin e Kosovës, në masë të madhe, pa dyshim, po e ndihmon edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Se Edi Rama duhet të shpallet “non grata” në Kosovë, kjo duhet të thuhet botërisht nga lidershipi kosovar, i cili më nuk duhet të fshihet pas perdes.

Profesori amerikan, Edvard Josef, tha në një emision se çuditet me Edi Ramën, i cili e mbështet Vuçiçin me mini-shengenin e tyre, e që nuk është asgjë më shumë se një tentim për izolimin e Republikës së Kosovës.

Rama kishte shkuar në Novi Sad pa Kosovën. Kishte shkuar edhe në Shkup pa Kosovën. E, së fundi, e mbajti takimin edhe në Shqipëri, me Vuçiçin e Zaevin, pa Kosovën!

A ka kush t’i dalë para këtij burri e t’ia ndalë turrin? Në Shqipëri nuk besohet se ka të tillë, që e ndalojnë Edi Ramën…

Nga historia e politikës së lidershipit shtetëror të Shqipërisë, ka pasur në kontinuitet sjellje proserbe!

Vetë mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, pat ardhur në pushtet në Shqipëri i ndihmuar nga Serbia.

Më vonë, Enver Hoxha e instaloi pushtetin komunist në Shqipëri me ndihmën e komunistëve jugosllavë: Miladin Popoviqit, Dushan Mugoshës, e të tjerëve.

Tutje, Fatos Nano e kishte takuar në ishullin Kreta Sllobodan Millosheviqin, për pazare me Kosovën dhe popullin e saj!

Sali Berisha e pat furnizuar me derivate Federatën Serbi – Mali i Zi, nëpërmjet Liqenit të Shkodrës, edhe në kohën e sanksioneve që iu bënë nga bashkësia ndërkombëtare Serbisë në kohën e luftës në Kosovë.

Tash del edhe një tjetër përbindësh, që po bashkëpunon ngushtë me Serbinë, për ta izoluar ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës. E, ky është Edi Rama, me këpucët lara-lara!

Ai e di mirë se si e ka detyruar Isa Boletini organizatorin e 28 Nëntorit 1912, ta shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë dhe për këtë e pagoi me jetë, me djemtë e tij dhe ushtarët që i kishte pas. Ra në Mal të Zi, në pritë…

Pse po heshtë tash PD-ja e Berishës dhe e Lulit?
Nuk ka arsye më të madhe se të ishte quar tash në këmbë PD-ja dhe ta rrëzojë qeverinë Rama.

Por, nëse populli në Shqipëri nuk do i sjellë fund politikës antikosovare të Edit Ramës, besohet se do ta bëjë këtë Kosova.

Por, kjo nuk do të ndodhë para se ta shpallte Prishtina zyrtare Edi Ramën person “non grata”, pra person të padëshirueshëm në Kosovë!

Sepse, Mini-shengeni nuk ka vlerë pa Republikën e Kosovës, sado që Edi Rama e do jashtë hartës së këtij organizmi Kosovën.

Gjeografikisht nuk mund të lidhet Serbia me Shqipërinë pa kaluar nëpër Kosovë. E, nëse qarkullimin e mallit e bënë nëpërmjet Maqedonisë, më nuk do të kishte vlerë ekonomike mini-shengeni me Beogradin kryeqytet.

Edi Rama, në anën tjetër, po i fyen myslimanët me tespih në dorë dhe me fjalët e profetit Muhamed!

Për të qenë edhe më e fortë ironia, Edi Rama pas takimeve dhe puthjeve me Vuçiçin në Tiranë, po e ofendon komunitetin mysliman në Kosovë, i cili përbën 95 për qind të popullatës.

Ai po mundohet të tregohet më mysliman se imamët tanë, duke cituar fjalët e profetit Muhamed! E, këtë po e bën, me siguri, për ta zbutur mëkatin!

E ka gjetur mënyrën të shitet si mysliman, duke ua kujtuar kosovarëve se çka paskësh thënë profeti në vitet 600, për kinse dashurinë ndërmjet njerëzve!

E, Edi Rama është mirë të reflektojë drejt dhe ta mbajë mend mirë se miku i tij, Aleksandër Vuçiçi, ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Millosheviqit, mu në kohën e masakrës së Reçakut!

Por, pse t’i dhembë Edi Ramës masakra e Reçakut, e as masakrat e tjera nëpër Drenicë, Dukagjin, në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, në Celinë e Gallap?! Ai nuk i ka përjetuar ato masakra, andaj edhe bënë pazare me Vuçiçin!

Atij nuk i dhembë as mosgjetja e trupave të mbi 1600 shqiptarëve të Kosovës nga viti 1999!

Prandaj, Edi Rama po e ofendon shumëfish popullin shqiptar të Kosovës: Me një anë, duke e izoluar Kosovën dhe duke u munduar ta humbë shtetësinë e saj, e, në anën tjetër, duke e ofenduar fenë myslimane të shumicës shqiptare të Kosovës!

E, shteti i Kosovës i ka përfaqësuesit e vet dhe nuk ka nevojë që Edi Rama të flasë në emër të Kosovës…