Irani i gatshëm për negociata me ShBA-në, nëse largohen sanksionet

Irani i gatshëm për negociata me ShBA-në, nëse largohen sanksionet

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka thënë se vendi i tij ka vullnet për t’u kthyer në bisedime me Shtetet e Bashkuara, nëse këto të fundit i largojnë sanksionet.

Vendet evropiane kanë bërë thirrje për bisedime me Iranin për ta ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes republikës islamike dhe fuqive botërore. Marrëveshja është në krizë pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën prej saj vitin e kaluar.

Rouhani për një kohë të gjatë e ka kërkuar largimin e sanksioneve amerikane në mënyrë që Irani të kthehet në bisedime nën formatin “5 plus 1”, që nënkupton pjesëmarrjen e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë.

Deklarata më e re e liderit iranian vjen pas njoftimit të befasishëm për rritjen e çmimit të benzinës. Ky vendim kishte nxitur protesta masive, në të cilat u vranë mbi 200 persona.

“Nëse ata janë të gatshëm t’i largojnë sanksionet, ne jemi të gatshëm të bisedojmë, madje edhe në nivel të liderëve të gjashtë shteteve”, tha Rouhani gjatë një transmetimi në televizionin publik.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani lirohej nga sanksionet ekonomike me kusht që ta kufizojë programin bërthamor, shkruan “France 24”.